Tematike

Subjektet politike në shuarje apo përtërirje në Zvicër

Shumica e subjekteve politike që veprojnë në Zvicër në një të ardhme të afërt vetvetiu do të ndërpresin aktivitetin e tyre politik. Edhe ashtu, pas pavarësisë së Kosovës, roli i tyre nuk është më i qartë dhe se frekuentimi i tyre nga mërgimtarët ka rënë dukshëm.

Këtë konstatim e ka dhënë politikologu Astrit Tsaka, duke u bazuar në studimet që janë bërë deri tani rreth organizimit politik në diasporë.Sipas studimeve që janë bërë rreth mërgatës është konstatuar se mërgimtarët po bëjnë më shumë përpjekje të integrohen në Zvicër.

“Mërgata shqiptare e ka kuptuar se prioritet është lënia anash e politikës, sidomos kur çështja e Kosovës duket të ketë përfunduar, dhe se ka ardhur koha kur duhet bërë më shumë përpjekje për integrim në jetën e përditshme të shoqërisë zvicerane”, ka thënë politikologu Tsaka.

Ai përkrah idenë që interesat e mërgatës të përfaqësohen nga një organizëm apolitik i karakterit unifikues politik-shoqërore, i cili synon t’i bashkojë të gjitha organizatat që veprojnë në Zvicër.

„Përveç kësaj, duket se mërgata jonë më shumë se kurrë ka nevojë të ketë një organizatë të vetme apolitike, e cila do të merret konkretisht me hallet, problemet dhe, mbi të gjitha, me mbrojtjen e interesave të tyre karshi komuniteteve të tjera dhe shoqërisë ku ata jetojnë”, thekson Tsaka.   

Duke mos e përjashtuar rolin e rëndësishëm që kanë pasur deri tani degët e partive politike në Zvicër në mobilizimin dhe organizimin politik e shoqëror të mërgatës, Astrit Tsaka ka thënë për albinfo.ch se i tërë ky proces në tri dekadat e fuksionimit ka njohur edhe momente tensionimi.

Astrit Tsaka

Sipas Tsakajt, përplasjet kanë qenë të theksuara në radhë të parë ndërmjet aktorëve politikë në lidhje me dëshirën e tyre për të ushtruar legjitimitetin në pjesën më të madhe të mërgatës, e mbi të gjitha se si të arrihet zgjidhja e drejtë e kauzës kombëtare.

“Kjo dukuri përplasjesh ideologjike dhe konceptuale, për fat të keq, është përcjellë edhe brenda mërgatës sonë, duke shkaktuar kështu tensione në mes të grupeve, individëve, e po ashtu edhe brenda për brenda familjeve të tyre”, ka shtuar Tsaka.

Madje, subjektet politike të cilat veprojnë në Zvicër thuhet të kenë dështuar të dëgjohet zëri i diasporës edhe në Kosovë.  „Janë bëre disa lëvizje të vogla, të cilat janë më tepër fyese për mërgatën, duke e neglizhuar rolin dhe kontributin e saj për popullin dhe shtetin e Kosovës“, shton Tsaka.

Ai ka qenë kritik edhe për ligjin dedikuar mërgatës, i cili në esencë, sipas tij, më shumë zbeh imazhin dhe kapacitetin organizativ të mërgatës. Nga ana tjetër, ka të tillë që edhe pse përfaqësojnë politikisht diasporën shqiptare në Zvicër, janë të mendimit se nuk ka nevojë për subjekte politike në diasporë.

Arben Kurteshi

Kësisoj mendon kryetari i degës së AKR-së në Zvicër, Arben Kurteshi

“Nuk duhet të ketë parti politike, edhe pse po funksionojnë dhe vazhdojnë të krijohen çdo vit”, ka thënë, nga ana tjetër, për albinfo.ch. Arben Kurteshi. Ai thotë se me diasporën duhet të merren institucionet e vendit, e jo partitë politike në Zvicër.

“Derisa qeveria nuk e fuqizon diasporën dhe derisa nuk ka përfaqësues të diasporës në legjislativin e Kosovës, nuk besoj që mund të bashkohen të gjithë kosovarët në diasporë”, thotë Kurteshi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka lënë anash mërgatën nga rrjedhat politike, kësisoji do të veprojë edhe me procesin e regjistrimit, i cili është paralajmëruar për vitin e ardhshëm.

“Qeveritë e deritanishme janë të interesuara vetëm për financat e diasporës dhe kanë shkaktuar vetëm ndarje në mesin e mërgatës, por jo edhe fuqizimin e saj”, tha Kurteshi.

Haki Latifi

Opinion krejt ndryshe ka kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi

Sipas Latifit, partia e tij është e intersuar të vazhdojë funksionimin në diasporë. “Kryesia qendrore e LDK-së është e interesuar dhe kujdeset  vazhdimisht që ne ta ruajmë formën e organizimit 20- vjeçar dhe më tepër kërkon nga ne të merremi me ruajtjen e kulturës, traditës dhe integrimit të mërgimtarëve këtu në Zvicër, natyrisht duke i mbajtur lidhjet edhe me strukturat udhëheqëse të partisë dhe me institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zvicër“, ka thënë për albinfo.ch. Haki Latifi.

Organizimi i mërgimtarëve në diasporë, sipas liderit të LDK-së, në Zvicër është bërë në baza vullnetare, pa mekanizëm përcjellës shtetëror.

Sipas tij, në raport me institucionet e Kosovës vazhdimisht ka përcjellë kërkesat dhe shqetësimet e mërgimtarëve rreth pajisjes me dokumente të udhëtimit, rreth pjesëmarrjes së mërgimtarëve në procesin e votimeve dhe të regjistrimit të popullsisë që pritet të organizohet vitin e ardhshëm. Latifi mendon se vetëm përfaqësuesit legjitimë nga mërgata që zgjedhen për Kuvendin e Kosovës kanë të drejtë ta përfaqësojnë mërgatën, sepse i njohin hallet e mërgatës dhe kërkesat e saj.

Ai mohon se partitë politike kanë shkaktuar përçarje në mesin e mërgatës, e për këtë ia hedh fajin, siç i quan ai, veprimtarëve, të cilët veten e quajnë të pavarur, ndërsa subjektet e organizuara që punojnë dhe veprojnë për interesat e popullit dhe që kanë vlera nuk mund të krijojnë polarizime.Por ai nuk e ka përjashtar mundësinë që mërgata të jetë shfrytëzuar edhe për interesa të individëve të caktuar.

“Disa përpjekje për një organizim të ri të diasporës nga gjysma e viteve ‘90-ta ishin po kështu në funksion të liderizmit dhe të privilegjeve politike dhe materiale të individëve dhe grupeve të caktuara”, ka thënë Latifi.

Derisa thuhet se do të ketë shuarje subjektesh politike, kohët e fundit megjithatë ka vazhduar krijimi i degëve të reja të partive politike në Zvicër…Njëra prej lëvizjeve politike e formuar kohët e fundit në Zvicër është edhe “Vetëvendosja” e Albin Kurtit. Megjithatë në „Vetëvendosje“ thonë se nuk është parti dhe sidomos nuk është sikur të tjerat…

Madje, aktivistë të kësaj lëvizjeje politike thonë se me diasporën e kanë fituar luftën dhe me diasporën do ta mundin hajninë në Kosovë.

“Vetëvendosja” thotë se nuk është e organizuar sikurse degët e partive politike të Kosovës në Perëndim. Derisa aktiviteti politik në Zvicër është zbehur tejmase në krahasim me vitet e kaluara, nga ana tjetër, liderë partish politike në kuadër të fushatës elektorale në Kosovë vazhdojnë të premtojnë edhe për diasporën.

Premtimet për diasporën janë më të ndryshme se do të rregullojnë infrastrukturën ligjore e teknike që mërgata ta ketë më të lehtë qoftë ndonjë investim eventual, qoftë nxjerrjen e dokumenteve në vendet ku jetojnë.

Është premtuar edhe krijimi i një ministrie të veçantë për mërgatën

Risi këtë herë në organizimin politik shqiptar në Zvicër është se nga përfaqësues të diasporës në listën e partive politike për zgjedhjet e 12 dhjetorit figurojnë edhe emrat e përfaqësuesve politikë që jetojnë në Zvicër.

Lexoni poashtu mbi këtë temë shkrimin tonë : ” Diaspora, politika dhe integrimi