Lajme

Suedia i ndërpret pagesat Pfizer-it, shkak numri i dozave

Agjencia Shëndetësore e Suedisë ka ndërprerë pagesat e vaksinave COVID-19 për Pfizer dhe po kërkon sqarime mbi numrin e dozave të disponueshme, sipas së përditshmes suedeze ”Dagens Nyheter”.

”Suedia po kërkon sqarime për numrin e dozave për të cilat ajo ka faturuar, pasi Pfizer ka vendosur gjashtë doza në një shishe, në vend të pesë të tillave të rëna dakord”, tha gazeta.

”Suedia tani dëshiron që Komisioni i BE-së dhe Pfizer të arrijnë një marrëveshje për sa doza ka në secilën shishe”, shtoi ajo, transmeton atsh, përcjell Albinfo.ch.

“Deri atëherë, ne i kemi thënë kompanisë që duhet të presim me faturat që janë në dispozicion derisa të kemi qartësi se çfarë po bëhet”, i tha shefi e Epidemiologjisë suedeze, Anders Tegnell, gazetës ”Dagens Nyheter”.

Rregullatori Europian i Ilaçeve dha leje në fillim të këtij muaji për një dozë shtesë të gjashtë në shishet e vaksinave.

Suedia blen më shumë vaksina sesa i duhen nga programi i përbashkët i blerjes së BE-së, duke kaluar pjesën shtesë në Norvegjinë fqinje, e cila nuk është anëtare e bllokut.