Zhvillim

Svarça: Përvojën e fituar në Zvicër, ta sillni në Ferizaj

Në kuadrin e një vizite me qëllim bashkëpunimi me Bibliotekën e Lozanës, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça ka zhvilluar një takim me bashkëqytetarët e tij në Renens

 

Në sallën e restorantit Le Florissant në Renens afër Lozanës u mbajt një takim i bashkatdhetarëve me kryetarin e Ferizajt, Muharrem Svarça. Takimin e hapi Musa Kamenica, aktivist i njohur nga Lozana  në politikën zvicerane dhe magjistër i shkencave politike, i cili duke njoftuar për qëllimin e vizitës nga Kosova tha se ka një kohë që ka përgatitur një projekt bashkëpunimi në mes bibliotekës së Ferizajt dhe asaj të Lozanës. Bëhet fjalë për projektin në bazë të të cilit Lozana do të dërgojë libra në gjuhën frënge në Ferizaj ndërsa do të blejë libra në gjuhën shqipe, të cilat do t`i shpërndajë në bibliotekat e Lozanës për shqiptarët që jetojnë këtu. Manifestimi me këtë rast mbahet të shtunën në bibliotekën e qytetit të Lozanës.

Në delegacionin nga Ferizaj pos kryetarit ishin edhe drejtori i drejtorisë për kulturë, rini e sport, Enver Haliti, pastaj Qibrije Demire, profesoreshë universiteti, kryetare e klubit letrar “Jeronim De Rada” dhe Teuta Demiri, drejtoreshë e Bibliotekës së Ferizajt “Sadik Tafarshiku’’.

Të pranishëm në takim ishin edhe Frederique Sardet, drejtor i Bibliotekës së Lozanës, konsulli dhe sekretari i parë i ambasadës së Kosovës nga Gjeneva Arian Kashtanjeva, përkatësisht Rexhep Bajraktari.

Duke marrë fjalën, kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarça tha se delegacioni e ka shfrytëzuar ardhjen në Lozanë që të takohet edhe me bashkëqytetarët në këtë qytet.

Falënderoi për kontributin e mërgatës para, gjatë dhe pas luftës duke thënë se pa të Kosova do ta kishte të vështirë të arrinte lirinë dhe pavarësinë e saj.

Ejani, investoni në Ferizaj

Duke folur për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë dhe Ferizaj kryetari tregoi se në Kosovë është formuar qeveria e shpëtimit kurse për Ferizajn tha se është qyteti i tretë me numër të banorëve e për nga fuqia ekonomike, i dyti, me një buxhet prej afër 26 milion euro, 60 për qind e të cilit shfrytëzohet për paga. Ai më tutje ceku se në Ferizaj është punuar por ka ende shumë punë për t`u bërë. Ferizaj përfaqësohet në kuvendin e Kosovës nga 9 deputetë e në qeveri ka një zëvendës ministër në ministrinë e shëndetësisë, tha më tej Svarça.

Ai nuk la pa përmendur edhe migrimet e fundit, sidomos nga Ferizaj. “Pas luftës një numër i madh ferizajasish kanë qenë të punësuar, veçanërisht në Bondstil e pas largimit të tyre nga puna, në pamundësi që të gjejnë punë tjetërkund dhe në kërkim të një jete më të mirë, ia mësynë perëndimit”, u shpreh kryetari Svarça.

Në vazhdim ai ceku se është i interesuar që në vendet udhëheqëse të angazhojë ekspertët në fushat e tyre e jo politikanët që nuk kanë profesionet përkatëse.

Kryetari i ftoi ferizajasit që të investojnë në Ferizaj dhe u siguroi se do ta kenë përkrahjen dhe ndihmën e organeve komunale. Do të kenë lehtësira administrative dhe mund të bashkëpunojnë me afaristët ferizajas. Ju premtoi siguri të plotë në investime. Si lehtësim ai përmendi dhënien e tokës me afat prej 99 viteve e shumë ndihma tjera. Kërkoi po ashtu nga bashkatdhetarët që përvojën nga vendet tjera ta sjellin në Ferizaj.

Pastaj kryetari i Ferizajt ceku edhe bashkëpunimin me ambasadat e huaja në Kosovë si atë gjermane dhe zvicerane dhe ndihmën e vendeve përkatëse sidomos në shtimin e kapaciteteve të ujit të pijshëm. “I kemi premtuar dhënien e 13 hektarëve tokë qeverisë zvicerane për ndërtimin e zonës industriale të Zvicrës”, tha më tutje z. Svarça.

Pas kryetarit fjalën e mori drejtori i drejtorisë për rini, kulturë e sport, Enver Haliti i cili nga ky post do të angazhohet në drejtorinë për zhvillim. Haliti njoftoi për të arriturat në drejtorinë e tij dhe tha se kemi ende shumë punë për të bërë. Të pranishmit i njoftoi mbi projektet që do të realizohen si në kulturë, sport dhe në lëmenj tjerë për çka kishte sjellë me vete edhe materiale përkatëse.

Ashtu sikur kryetari i cili ka jetuar shumë vite në Gjermani edhe z. Haliti kishte qenë mërgimtar, gjegjësisht kishte jetuar në Zvicër. Për këtë arsye, tha ai, i kupton brengat e mërgatës dhe se e di se ka shumë mërgimtarë që janë në gjendje të investojnë në Kosovë por atyre u duhen plotësuar kushtet.

Në vazhdim të pranishmit i përshëndeti edhe Qibrije Demiri e cila tha se ndjehet e nderuar që gjendet në mesin e vendasve këtu dhe kishte një kritikë pse nuk ishin të pranishme edhe femrat në këtë tubim.

Kërkesa të shumta të bashkatdhetarëve drejtuar kryetarit të tyre

Pastaj debati filloi me pyetje dhe interesimin e ferizajasve në Zvicër e sidomos për kushtet e investimit. U interesuan edhe për jetën në Kosovë dhe përmirësimin e ekonomisë në Ferizaj etj. Kryetari premtoi se do të angazhohet edhe më shumë në përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e një qendre spitalore, ndërtimin e një qendre sportive, ndihmën e personave me nevoja ekonomike etj.

Në mes tjerash të pranishmit kërkuan edhe dërgimin e librave shqipe dhe monografive të qytetit, pastaj u kërkua që të bëhet ruajtja e ambientit në Ferizaj si mos prerja e drunjve në Jezercë, pastrimi nga ujërat e zeza, ndalimi i punësimit në baza familjare e shumë dukuri të tjera negative.

U shtruan pyetje pse të hapen aq shumë universitete që nuk kanë shumë cilësi, në vend se të hapen shkolla profesionale dhe u kërkua që të zvogëlohet numri i të punësuarve në administratë.

Të premten, më 6 mars delegacioni do të pritet nga kuvendi i komunës së Lozanës

Të kënaqur me vizitën e kryetarit

Pas takimit, për albinfo.ch biseduam me disa pjesëmarrës. Agim Buja, një ferizajas me qëndrim në Zvicër u shpreh i kënaqur me vizitën e kryetarit. “Isha i impresionuar me punën dhe idenë e presidentit të Ferizajt që të mos burokratizohet dhe që të komunikojë në nivel të njëjtë me qytetarët e tij, të vijë me ide dhe projekte të reja për investitorët potencial të diasporës që t`ju sigurojë atyre një investim, duke u thënë se Kosova ka nevojë për ta. Më pëlqen ideja e tij që për të ardhur dhe për të prezantuar projektet dhe për ë kërkuar nga investitorët e këtushëm potencialë t`i prezantojnë projektet e tyre në Kosovë”, u shpreh Buja.

Ndërsa Milaim Kalanica nga Jezerci tha se ndonëse nga ky takim nuk priste shumë, megjithatë kryetari i kishte bërë disa ekspoze të mira. “Për kryetarin kam fjalë shumë të mira, ka bërë punë të mira dhe shpresoj se do të bëjë ende edhe shumë punë tjera. Na ka bërë të mundur ngritjen e lapidarit të dëshmorit dhe pjesëmarrësit të tri luftërave në trojet shqiptare, në Kosovë, Maqedoni dhe luginë të Preshevës, Afrim Kalanica”.

Svarça: Na nevojitet përvoja zvicerane për ndryshimin e qasjes sonë ndaj punës dhe shtetit

albinfo.ch ka zhvilluar edhe një bisedë të shkurtër me kryetarin e Ferizajt. I pyetur se a pret bashkëpunim edhe në fusha tjera me Lozanën, ai u shpreh pozitivisht.

“Presim shumë nga takimi i nesërm me komunën eLozanës me të cilën tashmë kemi një bashkëpunim. Po ashtu kemi bashkëpunim edhe me komunën Carouge të Gjenevës sepse përvojat e tyre janë të mirëseardhura për ne. Kemi bashkëpunim edhe në shkëmbimin e nxënësve dhe studentëve që nënkupton se edhe vendorët mund të vinë në Kosovë dhe të marrin dije te ne. Kemi nevojë për një njohje dhe komunikim të ndërsjellë të gjeneratave të reja dhe krijimin e parakushteve të integrimeve jo vetëm personale por edhe të Kosovës në integrimin evropian e sidomos me Zvicrën. Sepse, siç dihet, ky vend ka ndihmuar shumë Kosovën e sidomos Ferizajn. Me ndihmën e Zvicrës ne në pjesën më të madhe të qytetit dhe në zonat rurale kemi zgjidhur problemin e ujit të pijshëm. Do të ndërrohet edhe gypi kryesor i qytetit i cili është nga azbesti dhe është i dëmshëm për shëndet. çdo bashkëpunim i Ferizajt me qytete zvicerane është i nevojshëm e sidomos në shëndetësi, veçanërisht për ndërtimin e një shtëpie të pleqve e cila mungon në qytetin tonë. Përvojat zvicerane janë të dobishme, ato kanë për ta ndërruar perceptimin ndaj shtetit e ndaj punës”, u shpreh veç tjerash kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça.

(Fotot: Nderim Salihi)