Futboll

Sylvinho për “ZeroZero”: Duhet të zhvillojmë një Evropian të fortë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvio Mendes Campos Júnior ka dhënë një intervistë për median portugeze “ZeroZero”.

Ai ka rrëfyer për gjithçka, rrugëtimi i tij me ekipin kuqezi, jetën në Tiranë, punën me stafin dhe lojtarët, kushtet e ofruara nga FSHF dhe mendimin e tij për dy futbollistët shqiptarë që luajnë në Portugali, Adrian Bajrami dhe Enea Mihaj.

Tekniku i Kombëtares kuqezi, tha se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në kampionatin Evropian, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të synohet edhe kualifikimi në Botëror.

“Është kënaqësi të jem këtu dhe jam befasuar nga kjo rastësi. Viti me Shqipërinë ishte shumë intensiv, përrallor dhe është fantastike që jam këtu duke folur me ju dhe duke e festuar këtë”, tha Sylvinho.

Ai ka rrëfyer edhe për rrugëtimin e tij se si ka ardhur deri të drejtimi i Kombëtares së Shqipërisë.

“Ftesa ka ardhur nga një person shumë i afërt me Presidentin e Federatës. Unë jetoja në Porto dhe isha i ftuar në një darkë në Milano. Presidenti i FSHF, Armand Duka ishte në Itali për çështje biznesi dhe patëm mundësinë të bisedonim pak për tema të ndryshme. Kishte një kimi të mirë, një harmoni mes synimeve të Federatës dhe asaj që mendonim se do të jepnim. Jo shumë kohë më vonë, ftesa u zyrtarizua dhe ne e pranuam. I kërkuam Presidentit të jetonim në Tiranë dhe për të kjo ishte një surprizë e madhe. Asnjë nga paraardhësit e mi nuk e kishte bërë këtë. Unë dhe ndihmësit e mi donim të qëndronim atje”, tha Sylvinho.

Tutje ka shtuar se atë e ka ndihmuar shumë përvoja te Kombëtarja braziliane.

“Vetë Doriva, që është në ekipin tim teknik, më tha këtë: “Ke kaluar tre vjet me Titen në Kombëtare, ke shkuar në Botërorin 2018, përvoja jote është tashmë shumë e mirë”. E dija shumë mirë se çfarë duhej të bënim për ta kryer punën mirë. Një gjë është klubi, tjetër është Kombëtarja”, tha ai për gazetën portugeze.

Sylvinho ka lavdëruar edhe Federatën e Futbollit shqiptar për kushtet e ofruara dhe tha se nisin punën çdo ditë në nëntë të mëngjesit dhe largohemi në pesë pasdite. Arritëm në janar, ndeshja e parë ishte në mars kundër Polonisë dhe kishim një qendër stërvitore krejt të re, gati për të nisur.

“E kuptuam shpejt që kishim një grup të mirë futbollistësh, pasi pothuajse të gjithë luajnë në kampionate shumë të rëndësishme. Në Serinë A, në Bundesligë, në Premier League, në La Liga, në Portugali, të gjithë këto kampionate kanë lojtarë shqiptarë”, ka vazhduar me lëvdatat tekniku i kombëtares.

Ai tutje foli për punën që kanë bërë për rekrutimin e shqiptarëve që jetojnë dhe luajnë jashtë Shqipërisë.

“Ishte një punë shumë e ndryshme nga çdo gjë që kisha bërë më parë. Historia e Shqipërisë është shumë e pasur. Janë tre milionë shqiptarë që jetojnë aty dhe 15 milionë të tjerë jetojnë në territore të tjera. Kemi futbollistë me kombësi italiane, zvicerane apo gjermane që janë me origjinë shqiptare. Federata po e kryen shumë mirë punën e evidentimit të talenteve dhe nuk është punë dytësore. Kemi pasur tetë ndeshje kualifikuese, disa tashmë janë thirrur dhe të tjerë mund të vijnë në të ardhmen”, tha trajneri.

“Natën kur u kualifikuam në Euro 2024, përmenda dy trajnerë që ishin në Kombëtare para nesh dhe që lanë gjëra shumë pozitive. Njerëzit duhet ta kuptojnë procesin dhe ky proces nuk është gjithmonë i shpejtë. Ata janë mësuar të luajnë kundër klubeve të mëdha, kundërshtarëve të mëdhenj dhe të kenë përgjegjësinë për të fituar. Ne kemi shtuar një metodë, një ide, por kemi përfituar nga trashëgimia e lënë pas”, tha trajneri i kombëtares.

Mes tjerash, Sylvinho ka lavdëruar edhe punën që bëjnë në ekipet portugeze lojtarët e kombëtares.

“Po, erdha t’i takoj personalisht në një udhëtim në Portugali dhe me Adrian Bajramin përvoja ishte në fakt qesharake. Nuk e dija nëse fliste mirë portugalisht. Kur shkëmbenim mesazhe me shkrim ishte gjithmonë në anglisht. Arrita në Lisbonë, shkova ta takoja dhe Bajrami dukej më shumë si një portugez. Ai është një futbollist i ri. Futbolli ka ndryshuar, duhet të flasim dhe më pas të marrim vendime. Nëse gjërat shpjegohen, ata kuptojnë. Bajrami është më i ri, ai është te Benfica B, unë isha kurioz për të. Enea Mihaj ishte pjesë e planeve tona, erdha të shikoja dy ndeshje të Famalicão, folëm në anglisht. Ai është thirrur, është absolutisht profesionist, kujdeset shumë për të gjitha aspektet fizike. Edhe Bajrami, por ai është më i ri. Ai ka aspekte të rralla, shpejtësinë dhe këmbën e majtë”, tregoi ai për “ZeroZero”.

Trajneri i kombëtares së Shqipërisë foli edhe për mundësitë e Shqipërisë në Euro2024.

“E dimë që grupi është shumë i vështirë. Ne duhet të testojmë forcën tonë. Në Federatën shqiptare janë dy situata shumë të qarta për ne: e para është Evropiani dhe ne duhet të zhvillojmë një Evropian të ndershëm, të fortë, me karakteristikat e ekipit tonë që nuk mund t’i ndryshojmë, idetë tona janë të panegociueshme. Pjesa e dytë përfshin përpjekjen për ta bërë Shqipërinë të konkurrojë në më shumë Kampionate Evropiane dhe të fillojë të mendojë për të qenë në Kupën e Botës. Të dyja pikat janë të vështira, por ne jemi në një linjë të përkryer me Federatën”, tha ai.

Për trajnerin që arriti të dërgojë për herë të dytë në histori kombëtaren e Shqipërisë në gara evropiane tha se tifozët janë të prej më të mirëve.

“Ne kemi filluar të punojmë për këtë edhe para përfundimit të kualifikimit. Është e vërtetë, ka një atmosferë euforie të madhe. Kur ndeshja kundër Çekisë në shtëpi përfundoi 3-0 , nuk më zinte gjumi. ‘Si do ta menaxhojmë gjithë këtë?’ Njerëzit na telefonuan, pyetën se çfarë po ndodhte, thanë se nuk kishin parë kurrë një gjë të tillë dhe se qyteti i Tiranës po lëshonte fishekzjarre. Gjithçka ishte shumë mirë. Duhet të vendosim synime të arritshme, nuk mund të themi se jemi në këtë grup dhe është e detyrueshme të kalojmë më tej. Ne duam vazhdimësi, të jemi sërish në Kampionatin Evropian, por është e rëndësishme të kontrollohet kjo eufori. Tifozi nuk ka kufi dhe ka të drejtë të ëndërrojë për Kombëtaren”, përfundoi Sylvinho.