Integrimi

Sonte në Bernë, premiera e shfaqjes “Kosovo für Dummies”

Sonte, më 10 shtator në “Theater am Schlachthaus” të Bernës jepet premiera e shfaqjes “Kosovo für Dummies”. Tekstin e dramës e ka shkruar enkas për këtë shfaqje autori i njohur nga Prishtina, Jeton Neziraj, ndërsa ajo ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të tij me aktoren shqiptarozvicerane Albana Agaj e cila krijon në Bernë.

“Para rreth një viti e gjysmë unë jam kontaktuar nga aktorja Albana Agaj, rreth mundësisë për bashkëpunim. Albana është një aktore e shkëlqyeshme e cila më herët ka punuar në disa teatro të rëndësishme në Gjermani e Austri. Tani jeton e punon në Zvicër dhe bashkë me një grup të aktorëve të tjerë kanë krijuar kompaninë teatrore “Forever Productions” me të cilën kanë startuar shumë suksesshëm”, thotë për albinfo.ch Jeton Neziraj, dramaturgu i njohur nga Prishtina .

“Forever Productions” bashkëpunon shumë ngushtë me “Schlachthaus Theater” nga Berna. Dhe kështu, nga ajo kohë e kontaktit të parë, përmes Qendrës Multimedia nga Prishtina ne kemi realizuar disa bashkëpunime me Schlachthaus Theater, duke përfshirë edhe prezantimin në Bernë të shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, por edhe projektin e përbashkët teatror për të rinj “Kein Problem S’ka problem”, vazhdon Neziraj.

“Kosovo füür Dummies” e kam shkruar ekskluzivisht për ekipin e aktorëve të “Forever Productions”.

Përpos në Bernë, në Teatrin Schlachthaus, shfaqja do të jepet edhe në Cyrih, në Lucern dhe Aarau. Ka plane që shfaqja pastaj të udhëtojë edhe në Prishtinë e Tiranë, por edhe në qytete tjera evropiane.

“Kosovo für Dummies” jepet në gjuhën gjermane dhe natyrisht ajo komunikon me të gjitha grupet e publikut, zviceran apo shqiptar, thotë ai.

Sa i përket rolit të tij në gjithë këtë bashkëpunim, Neziraj për albinfo.ch thekson “Në të vërtetë, unë jam vetëm autor i shfaqjes. Regjinë e saj është duke e bërë regjisori zviceran Johannes Mager”.

Në shfaqje luajnë aktorët: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Ursula Stäubli, Robert Baranowski, Nadim Jarrar. Premiera dhe një numër shfaqjesh jepen në Schlachthaus Theater Bern, Rathausgasse 20/22.