Lajme
Të rinjtë, pesimistë për liberalizimin e vizave
Të rinjtë kosovarë i kanë humbur shpresat për liberalizim të vizave. Ata thonë se nga viti 2010 kanë dëgjuar vetëm premtime
Kosova ka mbetur i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave, e madje ka pak shpresa që heqja e vizave të ndodhë gjatë vitit 2017. Edhe të rinjtë kosovarë janë pesimist se liberalizimi do të ndodhë shpejt, sidomos pas mosmarrëveshjeve politike pozitë-opozitë.
Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të REL-it, të rinjtë e anketuar thonë se që nga vitit 2010, kanë dëgjuar vetëm premtime, por gjendja ka mbetur e njëjtë. Tani, pas gjithë këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur, ata thonë se i kanë humbur shpresat për liberalizim të vizave.
Antigona Imeri është studente në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se nuk pret që të ketë liberalizim të vizave gjatë këtij viti. “Jo nuk pres të ketë. Ashtu siç nuk ka pasur deri tani, nuk pres se mund të ketë edhe gjatë këtij viti”.
Ngjashëm shprehet edhe Ardita Xhelili. “Nuk besoj se do të ketë, nuk ma merr mendja”.
Kosova llogaritet të jetë një ndër vendet më të izoluara në Evropë dhe për t’u mundësuar qytetarëve të saj lirinë e lëvizjes në vendet e BE-së, ajo duhet t’i përmbushë edhe dy kriteret e mbetura; ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të fuqizojë përmes rezultateve konkrete luftën kundër korrupsionit.
Drilon Tahiri është student në Fakultetin Ekonomik. Ai thotë se përveç premtimeve të dhëna për liberalizimin e vizave, autoritetet e vendit nuk kanë bërë as një hap konkret përpara për këtë çështje. “Jo nuk pres se do të ketë, kur shihet se në çfarë gjendje të rëndë politike po kalon vendi, dhe duke parë kundërshtimet e mëdha që kanë deputetët e partive në pushtet dhe opozitës për çështje të caktuara”, thotë ai.
Mungesa e konsensusit politik për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, thotë Faton Rizani, student i Fakultetit Juridik, do ta bëjnë të paarritshëm liberalizimin e vizave edhe për një kohë të gjatë.
“Jo nuk mendoj, për arsye se një vit na ka shkuar dhe nuk jemi marrë vesh me çështjen e demarkacionit dhe nuk mendoj as këtë vit se do të ketë liberalizim”, thotë Fatoni.
Blend Morina, student i Mjekësisë e sheh më se të nevojshëm liberalizimin e vizave. Ai thotë se duke parë rëndësinë e lëvizjes së lirë të të rinjve, udhëheqësit e vendit duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim. “Do të doja të shpresoja që këtë vit do të ketë një risi dhe të bëhet liberalizimi i vizave, sepse do të na shërbente më shumë për studime dhe për të pasur një të ardhme më të mirë”, thotë Blendi.
Nëse do të bëhej liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, të rinjtë thonë se do ta shfrytëzonin më shumë për studime jashtë vendit dhe për qëllime turistike.
Abetare Syla, studente e Fakultetit të Arteve, thotë se do t’i shikonte mundësitë për studime jashtë vendit. “Ne nuk jemi gati si shtet të kemi liberalizimin e vizave, pavarësisht asaj që ne kemi dëshirë dhe kemi nevojë të kemi liberalizimin e vizave në mënyrë që të mund të shkojmë për studime, për punë dhe për qejf, për të shëtitur jashtë Kosovës”.
Edhe Blend Morina, student i Mjekësisë, thotë se liberalizimin e vizave do ta shfrytëzonte për të studiuar diku në vendet e Bashkimit Evropian. “Unë do ta shfrytëzoja më shumë për të shkuar në një universitetet diku jashtë dhe që të ketë diçka më mirë sesa që pritet të ketë në Kosovë”, thotë ai.
Ndryshe, mospërmbushja e kritereve të përcaktuara nga Bashkimit Evropian, mund ta lërë Kosovën pa u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave edhe gjatë vitit 2017, kanë tërhequr vërejtjen njohës të proceseve integruese evropiane. Sipas ekspertëve të integrimit, por edhe atyre të BE-së, pa e ratifikuar marrëveshjen me Malin e Zi për kufirin, nuk ka liberalizim vizash.
E-Diaspora
-
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër Në këtë intervistë, Blertë Berisha nga DOA (Dachorganisation Frauenhäuser Schweiz und Liechtenstein) flet për shenjat e... -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva merr fitime të papritura nga SNB Kantoni i Gjenevës po merr fitime të papritura nga banka qendrore. Banka Kombëtare Zvicerane do ta... -
Qiratë e reja pak më të ulëta në tremujorin e katërt të vitit 2025 -
Policia e Cyrihut forcon masat kundër kërcënimeve ideologjike -
Studimi: Tokat e Evropës janë 70 përqind të mbuluara me pesticide -
Karnavalet zvicerane forcojnë masat e sigurisë nga zjarri pas tragjedisë në Crans-Montana













