Bota

Tërmet në Filipine ka edhe të vdekur

Tetë persona kanë vdekur si pasojë e një termeti të fuqishëm i cili ka ndodhur në veriun e Filipineve gjatë ditës së sotme.

Si pasojë e tërmetit janë shembur edhe disa ndërtesa.

Sipas TopChanel, Instituti filipinas i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë njoftoi se tërmeti pati një magnitudë prej 6.1 të shkallës Rihter dhe epiqendrën e kishte pranë qytezës Castillejos, në provincën Zambales në perëndim të Manilës. Lëkundja u ndie pak pas orës 17 të pasdites, me orën lokale, kur zyrat qeveritare dhe bizneset private ishin duke mbyllur ditën e punës, përcjell Albinfo.ch.

Në Porac, në veriperëndim të Manilës, 5 persona raportohet të kenë vdekur pasi mbi ta ra muri i një supermarketi 4-katësh. Sipas një zyrtari lokal, një e moshuar dhe mbesa e saj kanë përfunduar në spital, pasi u plagosën në supermarket.

Ndërkohë, guvernatorja e provincës veriore Pampanga tha se kishte marrë raportime për të paktën 8 të vdekur, si dhe kishte ndërprerë energjinë elektrike për shumë banorë.

Për shkak të vendndodhjes në të ashtuquajturin “unazë e zjarrtë” e Paqësorit, Filipinet ndeshen shpesh me tërmete dhe shpërthime vullkanike, si pasojë e lëvizjes së pllakave tektonike. Në tetor të vitit 2013, afro 100 vetë humbën jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi ishullin qendror të Boholit.