Kosova
“The Guardian”: Serbia, shtet i kapur, problem për Ballkanin dhe BE-në
“The Guardian” në një editorial për Serbinë dhe zgjedhjet e fundit, e ka cilësuar këtë shtet si ‘të kapur e problematik’ për Ballkanin dhe Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.ch.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që fitoi me Partinë Progresiste Serbe (SNS), i ka lavdëruar zgjedhjet duke i quajtur “më të pastrat dhe të sinqertat” në histori. Megjithatë, “The Guardian” e ka cilësuar si emër të gabuar për partinë SNS. Mediumi prestigjioz ka përmendur raportin e organizatave ndërkombëtare mbikëqyrëse për zgjedhjet e 17 dhjetorit. Procesi cilësohet se u zhvillua “në kushte të padrejta”, të dëmtuara “nga anshmëria e mediave, presioni ndaj punëtorëve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”. Janë vënë re edhe “parregullsi serioze” e raste të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave. Ka pasur akuza se serbët nga Bosnja janë futur me autobusë në masë për të votuar në Beograd.
“Shkelja e normave demokratike dhe sundimit të ligjit në Serbi gradualisht është përshpejtuar që kur SNS-ja mori pushtetin mbi një dekadë më parë – proces i kapjes së shtetit, i mbikëqyrur nga presidenti që prej 2017-s. Një nacionalist autokratik, instinktet politike të së cilit u farkëtuan në epokën e Millosheviqit, Vuçiq përdor gjithashtu fuqinë dhe ndikimin për të nxitur mosmarrëveshje në Ballkanin perëndimor, ku fushatat ndarëse etnike serbe mbështeten nga Beogradi. Por ambicia për ta tërhequr Serbinë brenda orbitës së BE-së dhe larg nga ndikimi rus, ka zbutur kritikat e perëndimorëve në shkallë kompromisi, veçanërisht që nga koha e pushtimit të Ukrainës nga Rusia”, thuhet në shkrimin e “The Guardian”.
Megjithatë, kjo qasje e butë mund të përfundojë shpejt, ka paralajmëruar mediumi, pas demonstratave që kanë shpërthyer në Serbi që nga vera e që janë bërë më të zhurmshme pas zgjedhjeve. Si shenjë për të dëshmuar simpatinë proruse, kryeministrja Ana Bërnabiq falënderoi Rusinë që “ofroi dëshmi të mjaftueshme se protestat ishin të orkestruara nga Perëndimi”.
Kërcënimet për rinisje të luftërave në rajon pritet të përcillen me gjuhë më të ashpër nga Brukseli e Washingtoni. Në nëntor, Vuçiqi pati parashikuar se viti 2024 do të sjellë “shumë më shumë konflikte dhe trazira” në Kosovë dhe Republikën Sërspa – etniteti serb në Bosnjë. Aty tashmë lideri serb, Milorad Dodik, ka kërcënuar prishjen e Marrëveshjes së Daytonit, në emër të “unifikimit serb”, ndërsa në Kosovë ka pasur tensione të vazhdueshme muajve të fundit.
Sipas “The Guardian”, shpresat se e ardhmja drejt BE-së mund ta bindë Serbinë t’u përmbahet normat demokratike dhe të përmbahet nga minimi i shteteve fqinje, kanë rezultuar të pabaza. Por, qëllimi strategjik i izolimit të Rusisë – po ashtu i papërmbushur – nënkupton se Perëndimi vazhdon t’i japë shumë hapësirë Vuçiqit që ta ndjekë agjendën e tij autoritare e nacionaliste, thuhet në editorial.
Shkrimi përfundon me faktin se Bashkimi Evropian në Serbi shihet si levë e fuqishme ekonomike dhe diplomatike, por që deri tash s’është përdorur nga frika që e ndan edhe administrata e Joe Bidenit se mos po rrezikohet që Ballkani të lihet nën ndikimin e Moskës dhe Pekinit. Megjithatë, “The Guardian” thekson se as vazhdimi i trajtimit të Vuçiqit si “djali planprishës” me idenë se mos po ndryshon rrugë – nuk po funksionon.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Albin Kurti në Cyrih: Siguria si garanci e paqes dhe shtetndërtimi si përgjegjësi historike Në vazhdën tubimin elektoral me mërgatën shqiptare në Zvicër, Kryeministri në detyrë ndali veçmas te mbrojtja,... -
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Kishte kërcënuar me sulm në Eurovision në Bazel – Dëbimi i tij ngre pyetje Ai kishte kërcënuar me sulm në Festivalin e Këngës Eurovision në Bazel dhe ishte identifikuar si... -
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë -
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026









