Lajme

Turistët zviceranë të bllokuar në Lindjen e Mesme rrezikojnë të humbin pagat

Rreth 4 mijë shtetas zviceranë të mbetur në Abu Dhabi, Doha dhe Dubai për shkak të sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, përballen jo vetëm me pamundësinë për t’u kthyer në atdhe, por edhe me rrezikun e humbjes së një pjese të pagës.

Mijëra turistë zviceranë kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme, pasi fluturimet janë pezulluar për shkak të tensioneve dhe sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Si pasojë, shumë prej tyre nuk do të mund të kthehen në kohë në vendet e tyre të punës në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës (State Secretariat for Economic Affairs – SECO), mungesa në punë si pasojë e anulimit të fluturimeve, në përgjithësi, bie mbi përgjegjësinë e punëmarrësit, sipas legjislacionit zviceran.

Kjo do të thotë se punonjësit e bllokuar jashtë vendit mund të mos përfitojnë pagë për ditët e mungesës, nëse kontrata e tyre e punës apo një marrëveshje kolektive nuk parasheh ndryshe.

Avokatja e Shoqatës së Punonjësve Zviceranë, Tanja Riepshoff, ka theksuar se ligji zviceran i punës nuk garanton automatikisht vazhdimin e pagesës së pagës në raste të tilla.

“Problemi është se legjislacioni zviceran i punës nuk garanton automatikisht pagesën e vazhdueshme të pagës, pasi kjo varet vetëm nga dispozitat kontraktuale ose nga një marrëveshje kolektive pune”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, situata mbetet e paqartë për mijëra qytetarë që presin rifillimin e fluturimeve për t’u kthyer në Zvicër, ndërsa përveç pasigurisë së udhëtimit, tani përballen edhe me pasiguri financiare./Albinfo.ch