Lajme

Turisti zviceran sulmohet nga një peshk në Itali, përfundon në spital me plagë të rënda

55-vjeçari u kafshua në det pranë bregut në rajonin e Kampanias, ndërsa dyshohet se sulmi u krye nga një barrakudë e vogël ose një peshk "triggerfish".

Një 55-vjeçar nga Zvicra ka mbetur i plagosur rëndë pasi u kafshua nga një peshk gjatë kohës që po lahej në det në Pioppi, një qytezë bregdetare në rajonin italian të Kampanias, transmeton albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, incidenti ndodhi të martën, kur turisti po notonte vetëm pak metra larg bregut. Papritur, ai u kafshua në pulpën e këmbës, duke pësuar një plagë të thellë.

Për shkak se prej kohësh merr ilaçe për hollimin e gjakut, 55-vjeçari humbi shumë gjak menjëherë pas sulmit dhe kërkoi ndihmë me britma.

Dy roje plazhi ndërhynë menjëherë, i dhanë ndihmën e parë dhe më pas ai u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Sipas raportimeve, dyshohet se sulmi është kryer nga një triggerfish ose nga një barrakudë e vogël, specie që po shfaqet gjithnjë e më shpesh në Mesdhe si pasojë e rritjes së temperaturës së ujërave. /Albinfo.ch