Shqiperia

Universiteti i Tiranës, marrëveshje me BOKU-n e Vjenës, diploma ka vlerë si në Austri

Universitetit Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti BOKU i Vjenës kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim 4-vjeçar që synon ta transformojë UBT-në në një universitet me standarde evropiane, duke krijuar një model të ri për universitetet për transferimin e dijeve dhe teknologjisë me universitetet ekselencë në Evropë.

I pranueshëm në firmosjen e kësaj marrëveshje ishte edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ofroi të gjithë mbështetjen e qeverisë që UBT të krijojë një staf akademik me standardet evropiane.

Kryeministri kërkoi që ky universitet të kthehet në një qendër ekselence në bujqësi që do t’i shërbejë jo vetëm zhvillimin rural të vendit, por të nisë të preferohet edhe nga studentët e rajonit.

Rama theksoi se diploma tashmë do të ketë të njëjtën vlerë si ta kishin marrë në Vjenë, ndërsa dijet, informacionet dhe teknologjia do të jetë e standardeve më të larta, transmeton rtsh, përcjell albinfo.ch.

“Në këtë moment që është historik për UBT dhe është një nga ato momente jo të shpejta kur të marrit me politikë që ka gjithë ato siklete dhe të bën të mendosh “c’mu desh ko pune“ të jep një kënaqësi të jashtëzakonshme sa të gjitha të tjerat i bën hallall. Është e vërtetë që para 3 vitesh ku siklet ishte rekrutimi i studentëve dhe rektori erdhi menjë propozim për të ulur mesataren e hyrjes në universitetin bujqësor dhe unë isha absolutisht kundër kësaj ideje se nuk më bënte sens se për shkaka se studentët po tregonin më pak interes për tu bërë pjesë e UBT mesatarja të ulej poshtë në mënyrë që këtu të vinin nxënës që duhet të hynin në kurset e shkrimit dhe këndimit. I thash rektorit që në duhet të synojmë ta bëjmë UBT atraktiv dhe ta kthejmë në një atraksion jo vetëm për studentë shqiptarë por edhe të rajoni duke e ndërkombëtarizuar dhe bashkuar me një universitete ekselence në Evropë me synimin që UBT të jetë në Tiranë por merr gjithçka që do merrje nëse do shkoje në Vjenë dhe të marrësh një diplomë që ka të njëjtën vlerë. Ky është një program strategjik i qeverisë për ta transformuar këtë universitet në një qendër ekselence dhe një qendër shumë të fortë në bujqësi dhe zhvillimin rural të vendit”, tha Rama.

Në fund Rama ka folur edhe për rrugën e gjatë që iu desh qeverisë dhe UBT për të lidhur ketë “martesë” me Vjenën, ku palët duhet të punojnë që të mos shkojnë në “divorc”.

“Nuk ishte e lehtë për ta thyer akullin dhe ja ku jemi sot. Të vij këtu një nga ekselencat e Evropës dhe të pranojë martesën me ne, kjo nuk bëhet si dashuri me shikim të parë. Nuk ka dashuri me shikim të parë Austria, të shohin, të masin, të kontrollojnë etj., është histori e gjatë. Fakti që pranuan të nënshkruajnë martesën me ne është histori e madhe dhe nga ne duhet që të mos i bëjmë të mendojnë për divorcin. Tani i takon UBT që të përfshihet në këtë projekt me mendje dhe zemër. Stafi akademik i një universiteti evropian në gjithë kuptimin e fjalës këtu në Tiranë, janë të garantuara, qeveria do jetë në mbështetje të vazhdueshme me përzgjedhjen, por nuk ndërhyjmë në procese akademike. Austria jo vetëm na mbështeti, por vendoset që tashmë të bëheni heroi ynë, pasi jeni menaxheri i programit dhe do të jeni ju në mes dhe njeriu që garanton martesën mes nesh që të dyja palët të jenë të lumtura dhe kur të kenë zënka, t’i qetësoni”, u shpreh kryeministri.