E-Diaspora
“Ushtrinë e Zvicrës e ndjej si ushtrinë time”
“Në asnjë moment nuk ndjehem se po shërbej në një ushtri të huaj ngase ne jemi rritur këtu dhe frymojmë këtu”, thotë oficeri i Ushtrisë së Zvicrës, Nexhat Thaqi
Oficeri zviceran me rrënjë shqiptare nga Kosova, Nexhat Thaqi, 30 vjeç, ëndërronte gjithmonë të bëhej një ditë ushtarak i aftë. Dëshira e madhe për të veshur uniformen ushtarake ka bërë që Nexhat Thaqi nga Gjakova ta bëjë realitet këtë ëndërr vetëm në moshën 25 vjeçare, moshë kjo kur zviceranët lirohen nga obligimi ushtarak. Ai ishte vonuar në ushtri për shkak te pasaportës që e kishte marrë me vonesë madje vetëm pasi kishte aplikuar për shtetësi zvicerane atij i kishte ardhur ftesa për të shkuar ushtar.
Thaqi kishte filluar në atë moshë me rekrutimin e zakonshëm në ushtri. 5 muaj zgjatë shërbimi ushtarak si ushtar i thjesht ndërsa pas dy muajve vendoset nëse je i aftë për oficer ose nënoficer.
Nexhati tregon për vështirësitë që i kishte pasur për t‘u ngjitur në strukturat udhëheqëse të ushtrisë zvicerane. 30-vjeçari, vetëm pas 16 muajve kishte kaluar të gjitha provimet dhe obligimet për t‘u bërë oficer. „Aty ishte shansi fundit të vazhdoj ose jo rrugën për nënoficer dhe oficer ngase disiplina dhe stërvitjet janë aq të rënda sa që shumica heqin dorë nga kjo dëshire“, tregon Thaqi.
Nga 40 ushtarët e togut, 12 ishin shqiptarë
Oficeri shqiptaro-zviceran ka treguar për shkurtimin e procedurave për tu bërë oficer në ushtrinë zvicerane. Vetëm një vit zgjatë rruga për t‘u bërë oficer i ushtrisë zvicerane. Fillon si ushtar i thjeshtë. Pastaj, pasi të profilizohesh si nënoficer do të përgatitesh nga instruktorët, çfarë është tani edhe shqiptari me origjinë nga Gjakova.
Secili e fillon ushtrinë si obligim por jo për të qëndruar më gjatë. “Edhe unë e nisa vetëm si obligim për shkak të moshës”, rrëfen Nexhati. Por, vullneti i madh ka bërë që ai të vazhdojë, me dëshirë që të mbetet edhe me tutje pjesë e ushtrisë zvicerane. Në Chur të Graubündenit kishte filluar karrierën e tij ushtarake. Atë kohë në togun e Nexhatit, nga 40 ushtarët, 12 kanë qenë shqiptarë. Pas shpërndarjes si këtij togu të gjithë morën nga një detyrë si ushtarë, instruktorë, nënoficerë dhe oficerë.
Nexhati edhe si oficer është dëshmuar si motivues i madh për ushtarët. Shumë shqiptarë të stërvitur nga ai kanë shkuar deri në gradën nën oficer.
„Në ushtrinë zvicerane është më mirë të jesh një nënoficer i mirë se oficer i keq“, thotë Nexhati. „Të gjithë ata që ia mësyjnë ushtrisë më mirë është që të qëndrojnë edhe dy muaj më shumë për nënoficer për të mësuar më shumë detyrat ushtarake“, tregon Thaqi.
Ushtarët nga Thurgau, më të mirët
Ai tregon se ushtarët nga vende rurale janë zakonisht ushtarë më të mirë sesa ata të pjesës urbane. „Ushtarët e Thurgaut, për shembull, janë ushtarë më të mirë të Zvicrës. Kanë vullnet për të bërë ushtrinë“, tregon ai nga përvojat prej oficeri.
Shpesh ndodh që në një tog ushtarak të dominojë numri i ushtarëve me prejardhje të huaj. „Në asnjë moment nuk ndjehem se jam duke shërbyer në një ushtri të huaj ngase ne jemi rritur këtu dhe frymojmë këtu. Por, nganjëherë zviceranët na shohin ndryshe. Zviceranët që jetojnë në qytet dhe janë ballafaquar me shumë kultura, nuk e kanë këtë problem. Ndërsa ata nga vendet rurale si në Thurgau, Graubünden etj., pasi që kanë pasur më pak kontakte me të huajt edhe mund të kenë paragjykime”, tregon Nexhati për dallimet ndërmjet ushtarëve me origjinë të huaj dhe vendës.
“Unë jam krenar që mbaj uniformën zvicerane. Ne kemi shkuar shpesh në Kosovë dhe gjatë represionit serb kemi parë një fotografi të një ushtrie të keqe. Ajo ushtri ka mbjellë frikë te ne shqiptarët e Kosovës. Madje ne jemi frikësuar edhe këtu nga imazhi negativ që ka krijuar ajo ushtri”, rrëfen më tutje për kontaktet me vendlindjen ushtaraku shqiptar nga Zvicra.
“Pastaj ndodhi intervenimi i NATO- i cili dha një mesazh tjetër të një ushtrie shpëtimtare duke larguar ushtrinë e keqe nga Kosova. Para 13 viteve unë e pashë se ka ushtri të mirë dhe të keqe. Unë gjithmonë do ta përkrah një ushtri të mirë siç është ajo e Zvicrës”, shprehet më tutje Nexhati.
“Ushtria zvicerane është duke kryer misionin e saj në Kosovë po edhe në shumë vende tjera të botës. Ushtarët nuk e kanë mision vetëm të kapin armët dhe të luftojnë por edhe t‘u bashkëngjiten misioneve humanitare në tërë botën. Ndërtojnë ura, rrugë bëjnë ujësjellës etj.”.
“Ushtria ta „merr kohën“. Nuk munden të gjithë të bëhen oficerë“, përgjigjet Nexhati duke shuar se nuk është e vështirë të gradohesh në ushtrinë zvicerane.
„Në asnjë rast nuk bëjnë dallime prej nga vjen apo a je i bardhë apo i zi. Të jepet shansi, vetëm se duhet ta shfrytëzosh me vullnet. A quhesh Thaçi a Meier nuk i intereson askujt në ushtri“, përgjigjet krenar Nexhati.
Të gjithë janë të barabartë në ushtri
Identiteti në asnjë mënyrë nuk e ka penguar Nexhatin për të qenë pjesë e ushtrisë zvicerane. “Edhe sot më shkruajnë oficerët zviceranë duke më falënderuar se unë kam qenë shkaktar që ata kanë vendosur të jenë pjesë e ushtrisë zvicerane. Kjo më bën të ndjehem mirë ngase në fillim ata që vazhdojnë ushtrinë shikoheshin me paragjykim “.
“Në ushtrinë zvicerane ka liri për të gjithë, pa dallime etnike dhe fetare“, tregon për përvojën e mirë në ushtrinë zvicerane Nexhati duke kritikuar në anën tjetër kolegët shqiptarë që kishin treguar me duar shqiponjën në uniformën zvicerane. Për Nexhatin ishte një „lazdrim“ dhe keqpërdorim i lirisë me uniformë të ushtrisë zvicerane. Zvicra e lejon dyshtetësinë por kur të inkuadrohen në ushtri ,ushtarët japin betimin se do të shërbejnë vetëm në ushtrinë zvicerane. „Është si me përfaqësuesen zvicerane të futbollit, nëse firmos me të nuk guxon të luash për kombëtare tjetër“, thotë Thaçi.
Në ushtrinë zvicerane nuk ndodh të mbetesh më shumë se dy javë pa vizituar familjen. Kjo ndodh edhe për faktin se në kazermat e ushtrisë nuk pastrohet rrobat e ushtarëve por secili i pastron vet. Për këtë arsye ushtarëve u mundësohet që çdo vikend, me disa përjashtime të jenë në shtëpitë e tyre.
Nexhati thotë se ushtria duhet të jetë e obliguar dhe jo vullnetare. „Pas 5 muajve unë i kam parë ndryshimet pozitive në personalitetin e ushtarëve dhe për këtë arsye unë mendoj se secili duhet ta përjetojë këtë pjesë të jetës “, thotë ai. Nexhat Thaçi është oficer në Kompaninë e Cyrihut, në Brigadën 12.
Vetëm një shqiptar i graduar
Në gradimin e fundit është i theksuar numri shumë i vogël i zviceranëve të graduar me prejardhje nga Kosova. Në listën prej disa qindra të graduarish e gjejmë vetëm një me emër shqiptar. Ai është Leonard Berisha nga NW, i graduar me gradën e togerit (Oberleutnant). Këtë dukuri Nexhati e shpjegon me faktin se jeta private ndoshta ndikon në mos inkuadrimin në armatën zvicerane.
Uniforma, ëndërr nga fëmijëria
„Kur mësuesit na pyetnin në shkollë se çka do të bëhemi kur të rritemi, dikush thoshte mjek, dikush profesionin e prindërve, e unë kam thënë gjithçka me uniformë: polic ose oficer“, thotë N. Thaqi.
Sevdail Tahiri
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita Ka themeluar dhe drejton një kompani me dy shtëpi për të moshuar. Albinfo.ch e ka zgjedhur... -
Aktorja Fatlume Bunjaku do ta përfaqësojë Shqipërinë në “European Shooting Stars 2026” -
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi
Jeta në Zvicër
-
Taksa Kantonale e Aargaut do të ulet me 8 pikë përqindjeje Parlamenti i Kantonit e miratoi këtë masë me votat e SVP-së dhe FDP kundër qendrës/së majtës... -
Nigeriani padit në Strasburg policinë e Cyrihut -
Vit i vështirë në industrinë e orëve, më pak vende pune -
Të paktën gjysma e akullnajave të botës do të zhduken deri në vitin 2100 -
Uber: Trendet e përdoruesve zviceranë në vitin 2025










