Lajme

Vaksinimi anti-Covid në Shqipëri mund të ndërpritet

Procesi i vaksinimit në Shqipëri rrezikon të ndërpritet përkohësisht. Sipas anëtares së Komitetit të Vaksinimit Gjeorgjina Kuli kjo mund të ndodhë nëse nuk vijnë brenda muajit janar 10 mijë dozat e vaksinës të kontraktuara me kompaninë Pfizer apo 2 mijë dozat e premtuara nga një shtet i BE-së.

“Këto ditë në qoftë se nuk do ketë furnizim të ri, mendoj se do shkëputet për të realizuar dozën e dytë të atyre që janë vaksinuar, në mënyrë që të respektohet me rigorozitet intervali tre javor”, tha Kuli, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Aktualisht presin dozën e dytë të vaksinës rreth 490 mjekë dhe infermierë të spitaleve covid, ndërsa kanë mbetur rreth 500 vaksina rezervë nga 975 dozat e dhuruara nga një shtet i BE-së. Megjithatë me ardhjen e dozave të reja, faza e dytë e vaksinimit do të nisë menjëherë me moshat e treta.

“Mendoj që brenda tre mujorit të parë, pra brenda marsit do fillojë edhe vaksinimi në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve, dhe njëkohësisht me shtimin e numrit të dozave do kemi edhe shtimin e qendrave të vaksinimit”, shtoi ajo.

Pas vaksinimit të personave mbi 75 vjeç, në fazën e dytë janë planifikuar të vaksinohen më tej mësues dhe edukatorë, forcat e rendit, punonjës të shërbimit elektrik dhe ujësjellësit, forcat zjarrfikëse si dhe punonjës të transportit publik.