Lajme

Vazhdon rikthimi i personave nga Siria e Iraku në vendet e Ballkanit

Një shtetas boshnjak i dyshuar të ketë luftuar për Shtetin Islamik në Siri është transferuar në Bosnjë dhe është vënë në paraburgim, tha të shtunën zyra e prokurorisë së Bosnjës.

Pas rënies së kalifatit të vetëshpallur të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, vendet në mbarë botën po mundohen të gjejnë mënyrën se si të merren me militantët dhe familjet e tyre që kërkojnë të kthehen.

“I.C, 24, është i dyshuar për vepra penale të organizimit të një grupi terrorist, formimit të paligjshëm dhe të bashkimit me formacionet paraushtarake apo parapolicore të huaja dhe terrorizmin”, tha zyra e prokurorisë në një deklaratë.

Gjykata shtetërore e Bosnjës ka gjykuar dhe dënuar 46 njerëz që janë kthyer nga Siria apo Iraku në vitet e fundit.

Mediat vendase identifikuan njeriun si Ibro Cufurovic nga qyteti veriperëndimor Velika Kladusa, i cili, së bashku me Armin Curtin, 22 vjeç, nga Sarajeva, ishte arrestuar nga milicia kurde më shumë se një vit më parë.

Prokuroria përmendi ndihmën e Shteteve të Bashkuara për rikthimin e njeriut. Shtetet e Bashkuara janë aleati i milicisë kurde që vepron në Siri veriore, shkruan Reuters, përcjell albinfo.ch.

Sipas inteligjencës boshnjake, në vitin 2012-2016, 241 të rritur dhe 80 fëmijë u larguan nga Bosnja ose nga diaspora boshnjake për Sirinë dhe Irakun, ku kanë lindur 150 fëmijë. Rreth 100 të rritur, përfshirë 49 gra, mbetën atje, ndërsa të paktën 88 u vranë ose vdiqën.

Disa gra me fëmijë, përfshirë edhe bashkëshorten e Cufurovic, kanë pohuar se autoritetet boshnjake do të lejohen të kthehen në shtëpi, por ende nuk ka një politikë të qartë mbi mënyrën e trajtimit të tyre, sepse fëmijët e tyre nuk mbajnë shtetësinë boshnjake.

Gjithashtu të shtunën, një tjetër shtet ballkanik, Kosova, solli 110 qytetarë të saj nga Siria, duke përfshirë luftëtarë dhe 74 fëmijë, shkruan Reuters, përcjell albinfo.ch.