E-Diaspora

Verona Gjinaj, taiboksierja e suksesshme në Zvicër

Sporti i taiboksit është pasioni e saj. Tash e disa vite ajo ushtron rregullisht për t’u bërë një taiboksiere e suksesshme. Edhe pse është vetëm 15 vjeçe, Verona Gjinaj ka fituar disa duele ndaj vajzave kundërshtare. E fundit ishte para disa javësh kur Verona u stolis edhe me një Kupë.

Por, nxënësja e shkollës së mesme në Kriens të Lucernit ka një sfidë para vetës. Të shtunën ajo do të del në ring përball zviceranes Tiffany Wilend.

“Është ndeshja më e rëndësishme për mua dhe besoj se do ta fitoj edhe këtë garë. Jam përgatitur shumë dhe do të dal fituese”, thotë Verona për albinfo.ch, e bindur në fitore.

Por, pse Verona e zgjodhi taiboksin si pasion të saj? “Si fëmijë më kanë pëlqyer gjithmonë sportet luftarake. Mandej u regjistrova në klubin e trajnerit Tefik Bajrami prej të cilit kam mësuar shumë që të arrij suksese”.

Verona flet: shqip, gjermanisht, anglisht, pakëz spanjisht dhe kroatisht.

Prindërit e Veronës të cilët vijnë nga komuna e Gjakovës e mbështesin vajzën e tyre, por primare për ata janë sukseset e saj në shkollë. “Ne do ta mbështesim në pasionin e saj, por Verona krahas sportit do të na bëj të lumtur edhe me sukseset në shkollë”, thotë, babai i saj, Skender Gjinaj, raporton albinfo.ch.

Ndeshja mes Verona Gjinajt dhe zviceranes Tiffany Wilend do të zhvillohet të shtunën, me  20 prill 2019 në Krauerhalle, Kriens Luzern.