Futboll

Video: Ramadani rrëfehet në Itali: Rruga nuk ishte aspak e lehtë

Mesfushori i Kombëtares shqiptare shprehet se ndjehet si në shtëpi te skuadra e Lecces

Nga fillimet e vështira deri te lidhja me tifozët dhe shokët e skuadrës, Ylber Ramadani rrëfen rrugëtimin e tij në një dokumentar të Serie A.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare shprehet se ndjehet si në shtëpi te skuadra e Lecces, ndërsa pranoi se fillimet ishin të vështira për të, pasi edhe babi nuk kishte shumë dëshirë që ai të bëhej futbollist, transmeton albinfo.ch.

Nga Ballkani në Salento, udhëtimi i Ylber Ramadanit e ka çuar atë nëpër vende, kultura dhe liga përpara se të gjente stabilitet te Lecce.

Një mesfushor i palodhur dhe një pikë referimi kyçe për Di Francescon, ai e ka shndërruar betejën e mbijetesës në një përvojë rritjeje dhe pjekurie.

Mes brohoritjeve nga tifozët dhe lidhjeve me shokët e ekipit si Berisha, Ramadani vazhdon të vrapojë për të ndihmuar në sigurimin e një vendi në ligën e parë.

Karrierës së tij futbollistike, faqja zyrtare e Serisë A i ka përgatitur një dokumentar, ku Ramadani rrëfen të gjithë eksperiencat.

Ramadani: “Kam udhëtuar përreth botës dhe kam mësuar shumë, rreth kulturave të ndryshme. Shumë ndryshime nga një vend në një vend tjetër. Në Danimarkë bënte ftohtë, edhe në Skoci po ashtu. Tani po luaj te Lecce, dhe është sikur jam në shtëpi, ka plazh, ka diell ka gjithçka”.

Mesfushori i Kombëtares deklaron se është mjaft i lumtur që është pjesë e Lecces.

Ramadani: “U rrita shumë si lojtar. U rrita në presion. Të luftosh për të shmangur rënien nga kategoria nuk është e lehtë. Presioni shtohet kur ndeshjet nuk shkojnë sipas dëshirës tënde, sepse tifozët duan qëndrimin në serinë a. jam shumë i lumtur këtu, pasi kam mësuar shumë”.

Ramadani rrëfen se fillimet e tij ishin të vështira, ndërsa pranoi se edhe babi i tij ishte kundër që ai të bëhej futbollist.

Ramadani: “Në fillim babai nuk me linte të luaja futboll, sepse mendonte që nuk do ia dilja. Pastaj erdhi të më shihte duke luajtur dhe kuptoi se isha destinuar të bëhesha futbollist. Por unë gjithmonë e falënderoj, sepse më pas ai u bo krahu im i djathtë”.

Lecce po e ndjen mungesën e Medon Berishës dhe këtë e konfirmoi edhe Ramadani.

Ramadani: “Berisha mund ta mbajë vetën në Serinë A. Gjuajtjet e tij, fuqinë dhe cilësinë e tij e kanë të paktë lojtarë në Serinë A. ai krijon shumë raste dhe jep asiste. Ne e ndjejmë me vërtetë shumë mungesën e tij”

Tifozë e Lecces i kanë dedikuar këngë dy shqiptarëve dhe për këtë Ramadani është shumë krenar.

Ramadani: “Më pëlqen shumë kjo gjë, sepse shoh pasionin e tifozëve. Dua tua shpërblej besimin duke shmangur rënien nga kategoria”

Gjatë këtij sezoni, Ramadani ka luajtur 27 ndeshje nga 28 të mundshme në serinë a. duke qenë një titullar i padiskutueshëm. Ai ka mundur të shënojë vetëm një gol deri më tani, por kontributi në fushë është tepër i madh.

Ramadani është pjesë e Lecces prej tre vitesh. Kontrata e tij përfundon këtë verë, por klubi pritet të aktivizojë një klauzolë që rinovon automatikisht për një vit.