Lajme

Maqedoni: Rezultatet përfundimtare

Sipas rezultateve të fundit të KSHZ-së, VMRO ka marrë 38 për qind (51 deputetë), LSDM 36 për qind (49 deputetë), BDI 7 për qind (10 deputetë), Besa 4.5 për qind (5), Aleanca për Shqiptarët 3 për qind (3) dhe PDSh 2 për qind ( 2 deputetë)

Ish-kryeministri Nikola Gruevski që drejton partinë VMRO-DPMNE dhe partneri i tij në koalicion, Ali Ahmeti i BDI-së, prapë kanë fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni. Edhe pse kanë humbur nga disa deputetë në Kuvend, prapë këto parti kanë marrë besimin e maqedonasve dhe të shqiptarëve në këtë ish-republikë Jugosllave.

Zgjedhjet e të dielës kaluan në frymë demokrati ke, edhe pse fushata ishte shumë e tensionuar, me gjuhë të urrejtjes. E po ashtu edhe shkaktari për zgjedhje ishte një skandal përgjimesh që publikoi partia rivale e Gruevskit, LSDM që drejtohet nga politikani, i konsideruar pragmatik, Zoran  Zaev.

Gruevski fitoi shumë ngushtë karshi rivalit Zaev, por kushtetuta në Maqedonia ia jep mundësinë atij, që ta formoj qeverinë si mandatari i parë.

“Sot fitoi VMRO DPMNE dhe koalicioni Për Maqedoninë më të mirë. Sot fitoi edhe Republika e Maqedonisë. Kjo është fitorja e dhjetë më radhë e VMRO DPMNE-së. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë votuan për vizionin tonë, ekipin dhe mënyrën se si punojmë dhe planifikojmë të punojnë në të ardhmen”, ka deklaruar Gruevski.

Në taborin shqiptar, zgjedhjet i ka fituar ish-krahu i luftës, BDI që drejtohet nga Ali Ahmeti, një ish gueril i UÇK-së. Ai në këto zgjedhje ka humbur disa deputetë, por me 20 mijë vota ka lënë mbrapa Lëvizjen me Besë, një parti e re që bëri “revolucion” në këto zgjedhje.

“Shqiptarët kanë humbur mandate. Ne kemi fituar, por nuk më gëzon kjo fitore. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur doktrinën tonë. Ne do të punojnë që ky vend të shkojë drejtë stabilitetit të plotë. BDI nuk ndryshon kursin e vetë, por do të punoj për një integrim në strukturat euroatlantike”, deklaroi Ali Ahmeti në një konfenrcë pas shpalljes së rezultateve.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, VMRO ka marrë 38.82 për qind të votave.

Partia e dytë është LSDM-ja e Zoran Zaevit me 36.28 për qind, kurse në vendin e tretë renditet BDI e Ali Ahmetit me 7.31 për qind. Lëvizja Besa është partia e katërt me 42 mijë vota ose 4.62 për qind, e pasuar nga Aleanca për Shqiptarët me 26 mijë vota (2.94 për qind) dhe PDSH-ja me 23 mijë vota (2.60 për qind).

VMRO në Parlamentin e ri do t’i ketë 51 deputetë ndërsa LSDM 49. Kuvendi i Maqedonisë ka 120 deputetë dhe sipas parashikove janë shqiptarët ata që do ta përcaktojnë qeverinë.

Ndryshe, Lëvizja Besa, subjekti më i ri politik shqiptar në Maqedoni, ka paraqitur befasinë më të madhe në këto zgjedhje.

“Në këto zgjedhje ka humbur BDI-ja dhe kanë fituar shqiptarët. Ata prej nesër shqiptarët e Maqedonisë do të kenë përfaqësimin e tyre në institucionet e këtij shteti, në Parlamentin e Maqedonisë dhe do të jenë krenar me përfaqësuesit e tyre në institucione”, ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Humbjen e thellë në zgjedhje e ka pranuar Partia Demokratike Shqiptare e cila tani radhitet si forca e fundit politike ndër shqiptarë. Kryetari i saj, Menduh Thaçi tha se fituese e zgjedhjeve është lëvizja Besa dhe humbëse BDI-ja e Ahmetit.

“Kjo është një betejë e humbur, megjithatë më lejoni të theksojë se zgjedhjet shpallën fituesit e vërtetë tek shqiptarët. BDI-ja i ka humbur zgjedhjet në mënyrë katastrofale. Zgjedhjet tek shqiptarët i fitoj lëvizja Besa në koalicion me RDK-në dhe unë personalisht ju uroj fitoren dhe u dëshiroj suksese”, ka deklaruar.

Në zgjedhjet e të dielës, kanë marrë pjesë 11 subjekte politike: 6 parti dhe 5 koalicione me 58 lista për deputetë me 1092 kandidatë. Zgjedhjet janë mbajtur në 3.480 qendra votimi në gjashtë njësi zgjedhore dhe në 46 qendra votimi në njësinë e shtatë zgjedhore që e përfshin diasporën.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.78 milion qytetarë të regjistruar në Listën zgjedhore.

Këto zgjedhe, ishin të 9-at në Maqedoni. Atu u konsideruan jetike për të ardhmen evropiane të këtij vendi, ndërsa u mbajtën në periudhën me delikate, kur në këtë Republikë ish Jugosllave ka stagnuar gjithë procesi integrues dhe ekonomik.

Zgjedhjet erdhën pas një skandali përgjimesh që e ka përfshirë ish qeverinë e kaluar.

Në këto zgjedhje është vërejtur një numër më i madh i votuesve, mbi 60 për qind. Qeverinë e re, të cilën pritet ta përcaktojnë shqiptarët, e pret një proces i mundimshëm për anëtarësim në NATO dhe marrjen e statutin të vendit kandidatë për në BE. Por para këtyre dy proceseve, është një më i vështirë: zgjidhje e kontestit të emrit me Greqinë.