Opinione

Vota Zaev-it, largim i shqiptarëve nga e drejta e shtetndërtimit*

Kko të ketë edhe anën rrezikshme - rrëgjimin e mëtejmë të rolit të shqiptarëve në shtetndërtimin e Maqedonisë dhe shndërrimin e saj jo në një shtet demokratik të maqedonasve dhe shqiptarëve

Në zgjedhjet e fundit, shqiptarët e Maqedonisë bënë një kthesë të pazakonshme për Ballkanin. Një pjesë e konsiderueshme e tyre votoi për një parti me shumicë joshqiptare – për partinë e Zoran Zaev-it. Nuk do të kishte asgjë të keqe në këtë votim po qe se shqiptarët në Maqedoni të kishin praktikisht të njëjtat të drejta si të maqedonasve, nga ç’gjendje shqiptarët janë aq larg sa këtë mund ta vërejë edhe vrojtuesi krejt i painformuar që përshkon Shkupin duke kaluar në të dy anët e Lumit Vardar.

Kapërcimi i kufirit etnik nga votuesit shqiptarë është dëshmia përfundimtare e humbjes së besimit të tyre në politikën verbalisht nacionaliste dhe esencialisht poltroniste të partive të deritashme përfaqësuese tyre. Ky votim i shqiptarëve për një parti me shumicë joshqiptare është në të njëjtin trend të ndëshkimit të estabilishmentit siç ndodhi në zgjedhjet amerikane apo edhe ato lokale në Drenas. Kjo lëvizje ka anën e vet pozitive, sepse kështu mund të bëhet cilësia në punë përcaktuese e votës së politikanëve dhe jo nacionaliteti e as nacionalizmi i tyre, por do të ketë edhe anën e vetë jo vetëm negative, por edhe të rrezikshme – rrëgjimin e mëtejmë të rolit të shqiptarëve në shtetndërtimin e Maqedonisë dhe shndërrimin e saj jo në një shtet demokratik të maqedonasve dhe shqiptarëve me të drejta të garantuara të pakicave, por në një shtet qytetar, që do të jetë edhe intenca e Zaev-it, në rast se fiton të drejtën e krijimit të qeverisë.

Është e pritshme se Zaev do të përpiqet ta rrisë shkallën e popullaritetit mes shqiptarëve sidomos kur konstatoi këtë krizë të rëndë besimi në partitë e tyre. Është e pritshme se ai në ekipin e tij qeveritar do të kujdeset të ketë ministra, zëvendësministra e funksionarë të tjerë qeveritarë shqiptarë. Ministrat, zëvendësministrat dhe funksionarët e tjerë qeveritarë të Zaev-it nuk do të jenë në shërbim të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por në shërbim të mbajtjes dhe mirëmbajtjes së pushtetit Zaev aq sa një ditë shqiptarët të mos paraqesin më ndonjë faktor të rëndësishëm në Maqedoni.

Fushata zgjedhore nuk nxori ndonjë politikan të ri apo forcë të re politike që shquhet me një vizion të veçantë politik dhe me një vendosmëri për ta ndërtuar dhe çuar përpara këtë vizion. Kryetari i LR – PDSH, z. Z. Sela, në fushatën zgjedhore ishte megjithatë më i vendosur në përcaktimin për shqiptarët popull shtetformues në Maqedoni.

Partia e re “Besa” në platformën e saj politike tingëllonte më shumë si një parti me synime për të ndërtuar një shtet të konceptit qytetar, ku shquhen të drejtat dhe liritë e individit dhe jo patjetër avancimi i të drejtës së shqiptarëve si shtetformues në Maqedoni. Fushata zgjedhore dhe prononcimet e tyre pazgjedhore nuk lënë për të besuar se” Besa” do të jetë grupimi politik, që do t’i përfaqësojë dhe do t’i avancojë denjësisht të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Lëvizja Vetëvendosje”, “Aleanca Kuq e Zi”, “Lëvizja për Bashkim” dhe lëvizje apo parti të tjera në Kosovë apo Shqipëri, që në programin e tyre valëvisin flamurin e bashkimit kombëtar dhe bëhen viganë të mëdhenj teorikë të kësaj çështjeje, në përfaqësimin praktik të platformës së tyre te shqiptarët e Maqedonisë u zhbënë fare si të kishim të bënim me një tokë të ndaluar dhe me një popull të huaj dhe jo me territore dhe me popull shqiptar.

Megjithëse vota shqiptare ka filluar të shkojë në paudhësi, partitë e tashme politike shqiptare të përfaqësuara në parlament mund të shpëtojnë atë që patjetër duket se ka filluar të humbë – të qenit e shqiptarëve popull shtetformues në Maqedoni. Si partia e Ali Ahmetit, ashtu edhe partitë e tjera shqiptare të përfaqësuara në parlament, s’kanë alternativë tjetër, qoftë edhe të mbijetesës së tyre politike, përveçse të këmbëngulësisë së të bërit të shqiptarëve popull shtetformues në Maqedoni. Çdo tërheqje nga ky koncept do t’i zhbëjë ato si parti dhe shqiptarët si komb.

Me votat për partinë e Zaev-it shqiptarët e Maqedonisë, edhe pse mbi 35% e popullsisë së përgjithshme, politikisht do të shndërrohen në atë që sot janë shqiptarët në Mal të Zi apo në Serbi.

Ky do të ishte një dëm i madh jo vetëm për shqiptarët e  Maqedonisë, por edhe do të dobësonte shumë rolin gjeostrategjik të shqiptarëve në rajon dhe më gjerë. Dhe për këtë duket se s’jemi sa duhet të vetëdijshëm.

  • Ky është opinion i autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë.