Literaturë

Washington Post: Pse iu dha çmimi Nobel një njeriu që përkrahu një kriminel lufte?

Gazeta amerikane The Washington Post ka botuar një artikull për ndarjen e çmimit Nobel për Letërsi, ku autor i këtij artikulli ishte Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

Kur Komiteti i Nobelit e pyeti publikun në Twitter nëse i kishin lexuar veprat e shkrimtarit austriak Peter Handke, njërit nga fituesit e çmimit për Nobel në letërsi për këtë vit, një boshnjak, Emir Suljagic, u përgjigj: “Jo, sepse ishim të zënë duke i kërkuar familjet dhe miqtë e varrosur në varrezat massive që ai i mohoi të ekzistojnë”.

Kjo është ndjenja të cilin e ndajnë shumë në Ballkanin Perëndimor, rajon që ende mbetet i trazuar nga një dekadë luftash, ku ende nuk e kemi një pasqyrë të qartë të numrit të të gjitha viktimave të Sllobodan Millosheviqit, diktatorit serb politikat e të cilit Handke publikisht i inkurajoi dhe i mbështeti.

Në këtë pjesë të botë, rreth 150,000 njerëz, shumica e të cilëve civilë boshnjak dhe shqiptarë të Kosovës, u vranë në një luftë të pakuptimtë që ktheu në Evropë kujtimet e Holokaustit dhe mesjetës së errët.

Sot e kësaj dite familjet ende ngarendin me një copë rrobe, një orë të përbaltosur apo një fotografi të zbehur duke i kërkuar të dashurit e tyre. Dy dekada pas luftës, nana, baballarë, gra, motrat, djemë e vajza janë në pritje të një trokitje dere që do t’iu sillte atyre një lajm për burrin e zhdukur apo djalin e kidnapuar. Shumë familje i kalojnë orë të tëra në korridoret e forenzikës duke pritur një përputhje të mostrës së AND-së që më në fund ta kenë një varr për ta vajtuar.

Gjenerata të tëra kurrë nuk arritën ta realizojnë potencialin e tyre të plotë për shkak se u përjashtuan nga puna dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre si pjesë e një fushatë spastrimi etnik të udhëhequr nga Millosheviqi. Ata kurrë nuk panë drejtësi sepse nuk ka drejtësi që do ta zhbënte këtë humbje. Por për Handken, asnjëra nga këto nuk kishte rëndësi.

“Nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Dëgjoj.Unë ndjejë. Unë kujtoj. Andaj jam këtu sot, pranë Jugosllavisë, pranë Serbisë, pranë Sllobodan Milosheviqit,” deklaroi ai në eulogjinë në varrimin e Millosheviqit. Këtë e bëri pasi që kishte kundërshtuar intervenimin e NATO-s ndaj forcave serbe që kishte për qëllim t’i jap fund luftës brutale në Kosovë. Në një intervistë të dhënë atëbotë, Handke deklaroi që aleanca nuk e ka parandaluar një Aushvic të ri, por por e krijonte një të tillë.

Është pikërist kjo aryseja që ne, si viktima të agresionit brutal nacionalist, e gjejmë vetën të hutuar me vendimin e jurisë së çmimit Nobel, një institucioni shumë të respektuar prej të cilit presim që t’i lartësojë dhe mbrojë po ato ideale që e shtyen Perëndimin që t’iu kundërvihet të këqijave të luftës, t’ia jep një shpërblim aq të veçantë një njeriu që mbështeti atë që planifikoi vdekje e shkatërrim.

Kjo protest nuk ka të bëj me Ballkanin Perëndimor dhe përvojat e gjeneratave që jetuan nëpër ferr për shkak të Millosheviqit dhe vartësve të tij. Nuk ka të bëj me sulm ndaj lirisë së shprehjes apo të asociimit, dy të drejta për të cilat luftuam gjatë dhe me shumë mund t’i sigurojmë. Kjo protestë nuk ka të bëj me një njeri që kishte opinion ndryshe politik, bindje ideologjike apo dilema se çfarë është moralisht e drejtë.

Është protestë ndaj shpërblimit të një shkrimtari që ka afishuar përkrahjen për një kriminel lufte dhe ka përkrahur planin e tij të paramenduar për të zhdukur “tjetrin” etnik dhe politik.

Pasojat e këtij vendimi janë keqandjellës për tërë njerëzimin sepse i fuqizojnë udhëheqësit e shkrimtarët e tjerë me motive dhe tendenca të tmerrshme.

Handke nuk ka qenë në anën e drejtë të historisë në Kosovë apo në Ballkan; nuk i ka mbështetur idealet fisnike; përkundrazi, ai ka gjetur strehë në anën e errët të ngjarjeve tragjike në Ballkan.

Testamenti i Alfred Nobelit ka specifikuar që çmimi duhet t’iu jepet autorëve që “prodhojnë në fushën e letërsisë vepër të jashtëzakonshme në drejtim ideal”. Vështirë të shihet se si vendimi i Komitetit të Nobelit për t’ia dhënë çmimin Handkes përputhet në çfarëdo forme me këtë standard.

Nobel, përmes trashëgimisë së tij, pothuajse e ka shlyer kritikën se ishte Tregtar i Vdekjes për shkak të zbulimit të dinamititi. Por tani, Komiteti i Nobelit mjerueshëm – dhe përjetësisht – është lidhur me Peter Handken, një lavdërues të Sllobodan Millosheviqit, kasapit të Ballkanit.