Lajme

Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”

Aktiviteti për promovimin e librit të Edona Kelmendit u organizua nga LAPSH dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Lozanës, në bashkëpunim me Albinfo.ch.

 

 

Universiteti i Lozanës (UNIL) u kthye në një mbrëmje emocionesh të forta, reflektimi dhe kujtese historike gjatë promovimit të librit “Për ata që nuk u kthyen” të autores Edona Besim Kelmendi. Aktiviteti u organizua nga LAPSH-i, me kryetar Ardian Lahën, dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Lozanës, e përfaqësuar nga Puhiza Shala, në bashkëpunim me Albinfo.ch.

Salla ishte e mbushur me shqiptarë të të gjitha moshave, por edhe me shumë të huaj dhe studentë ndërkombëtarë që ndoqën me interes promovimin. Në fytyrat e publikut shiheshin emocione të forta, ndërsa lotët nuk munguan gjatë rrëfimeve dhe interpretimeve artistike që prekën thellë të pranishmit.

Libri i Edona Besim Kelmendit sjell dhimbjen dhe kujtesën e masakrës së Qyshkut përmes syve të një fëmije që përjetoi luftën. Por më shumë se një histori personale, libri u ndje si zëri i një brezi të tërë fëmijësh të Kosovës që u rritën mes dhimbjes, humbjeve dhe traumave të luftës.

Në këtë mbrëmje morën pjesë figura të njohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare si Agron Tufa, Shemsi Makolli, Bujar Salihu etj.

E pranishme ishte edhe Floreta Kabashi, udhëheqëse e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, e cila në fjalën e saj e cilësoi librin e Edona Besim Kelmendit si një dëshmi të fuqishme njerëzore dhe historike për dhimbjen që kanë përjetuar familjet shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

Ajo theksoi rëndësinë që rrëfime të tilla të ruhen dhe të transmetohen tek brezat e rinj, në mënyrë që kujtesa dhe sakrifica të mos harrohen kurrë.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Musa Kamenica, kryetar i Kuvendit të Qytetit të Lozanës, i cili shprehu mbështetjen për aktivitete të tilla kulturore dhe për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.

Shkrimtari Agron Tufa e cilësoi librin si një dëshmi të fuqishme njerëzore të dhimbjes që nuk duhet të mbetet e heshtur. Ndërsa Bujar Salihu ndaloi tek momentet tronditëse të librit, duke theksuar se lufta nuk vrau vetëm njerëz, por shembi edhe botën emocionale të fëmijëve që panë gjithçka me sytë e tyre.

Me shumë ndjeshmëri foli edhe Shemsi Makolli, i cili kujtoi pafajësinë e humbur të fëmijërisë dhe jetën e zakonshme shqiptare që lufta e ndërpreu brutalisht.

Një nga momentet më prekëse ishte fjala e vetë autores, Edona Besim Kelmendi, e cila mes emocionesh tha se ende e ka të vështirë të flasë për 14 majin e vitit 1999 dhe për masakrën e Qyshkut.

“Unë nuk jam e fortë sot”, u shpreh ajo para publikut të heshtur.

Autorja tregoi se qetësia e Lozanës shpesh i rikthen kujtime të dhimbshme nga lufta dhe se vajza e saj Morea, sot 10-vjeçare, ka po atë moshë që kishte ajo kur përjetoi tragjedinë.

Atmosferën e bënë edhe më emocionale interpretimet artistike të Elvana Zaimit dhe Erida Begës, të shoqëruara nga tingujt e kitarës klasike të Ilir Bytyqit, ndërsa dy motrat Puhiza dhe Morea Shala interpretuan dy melodi me flautë që prekën publikun me delikatesën dhe ndjeshmërinë e tyre artistike.

Për ta afruar edhe më shumë mesazhin e librit me publikun ndërkombëtar, një pjesë e diskutimeve dhe interpretimet e fragmenteve nga libri u realizuan edhe në gjuhën frënge.

Nuk munguan as nxënësit e shkollës shqipe, të cilët kënduan himnin e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke i dhënë mbrëmjes një dimension edhe më emocional dhe patriotik.

Në fund, publiku u ngrit në këmbë me duartrokitje të gjata, në një mbrëmje që nuk ishte vetëm promovim libri, por një rikujtim i fortë se historia, dhimbja dhe kujtesa nuk duhet të harrohen kurrë.

 

Bujar Salihu

Shemsi Makolli

(Fotot: Ideal Kuka)