Lajme
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër
Zarfet e votimit pritet të mbërrijnë mes 20 dhe 27 majit, ndërsa qytetarët u këshilluan që t’i dërgojnë me postë më së voni deri më 9 ose 10 qershor, në mënyrë që vota të arrijë në kohë për procesin federal të 14 qershorit.
Grupi sindikal në Unia “Aktivistët” organizoi një takim informues në prag të votimit federal të 14 qershorit në Zvicër. Aktiviteti mblodhi anëtarë të komunitetit shqiptar dhe përfaqësues sindikalë për të analizuar në detaje iniciativën e njohur si “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë” (Nachhaltigkeitsinitiative) dhe pasojat që ajo mund të prodhojë në raport me marrëveshjet bilaterale, sistemin e mbrojtjes së pagave dhe sektorët strategjikë të ekonomisë zvicerane.
Ligjëruesi i këtij takimi, Florim Kadriu prezantoi një analizë kronologjike të politikave të migracionit në Zvicër, duke filluar nga sistemi i kuotave dhe statusi i sezonierëve në shekullin XX, deri te vendosja e lëvizjes së lirë të personave dhe masave flankuese pas vitit 2002. Ai nënvizoi se historia e migracionit është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me zhvillimin ekonomik të vendit, ku migrantët kanë qenë shtyllë në ndërtimin e ekonomisë dhe institucioneve sociale.
Gjatë takimit u rikujtua se statusi sezonal, i cili zgjati rreth 70 vjet, shoqërohej me kufizime të rënda, përfshirë mungesën e të drejtës për bashkim familjar dhe varësinë e plotë nga punëdhënësi. Heqja e këtij statusi solli vendosjen e mekanizmave për mbrojtjen e pagave dhe kontrollin e dumpingut social.
Sipas të dhënave të prezantuara, çdo vit kontrollohen rreth 140 mijë të punësuar dhe mbi 36 mijë ndërmarrje, ndërsa rreth 50 milionë franga u janë kthyer punëtorëve pas shkeljeve të konstatuara gjatë kontrolleve sindikale.
Ndërkaq, Valdete Hoti nga Shoqata Parandalo ndau një reflektim të detajuar mbi përvojën e saj shumëvjeçare në sektorin civil dhe punën me komunitetet të migrantëve: “Në praktikë, shtetasit e vendeve të treta shpesh përballen me forma të ndryshme të pabarazisë dhe vështirësi shtesë në integrim, ndaj është e rëndësishme që debatet politike të trajtohen me kujdes dhe me fokus në ruajtjen e kohezionit social. Nga përvoja jonë në terren, shohim se shumë familje migrante vazhdojnë të përballen me pasiguri dhe ndjesi diskriminimi. Për këtë arsye, është me rëndësi që iniciativat që mund të thellojnë këto dallime të analizohen me përgjegjësi dhe të parandalohet krijimi i barrierave të reja sociale.”
Një pjesë qendrore e diskutimit iu kushtua vetëdijesimit për procesin e votimit dhe rëndësisë së pjesëmarrjes qytetare. Sindikalisti Florim Kadriu dërgoi një mesazh të prerë për të gjithë shtetasit me të drejtë vote, duke theksuar se neglizhenca ndaj këtij procesi mund të ketë kosto të lartë për komunitetin: “Pavarësisht bindjeve politike, është jetike që qytetarët të lexojnë materialet e votimit dhe të marrin pjesë në vendimmarrje. Demokracia funksionon vetëm kur njerëzit e përdorin të drejtën e votës. Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh të plehrave! Ato zarfe që ju vijnë në shtëpi nuk janë thjesht letërsi politike; janë dokumente që përcaktojnë sigurinë tuaj juridike, stabilitetin e vendeve tuaja të punës dhe të ardhmen e familjeve tuaja në këtë shtet. Një votë e papërdorur është një dorëzim i vullnetshëm i mbrojtjes suaj sociale.”
Kadriu shtoi gjithashtu se ky angazhim është dëshmi e pjekurisë politike të komunitetit: “Ne nuk jemi më vetëm mysafirë apo kalimtarë në këtë vend, por jemi pjesë organike e funksionimit të këtij shteti. Kur ne votojmë, ne nuk mbrojmë vetëm veten tonë, por mbrojmë dinjitetin e çdo punëtori dhe integritetin e sistemit që na garanton paga të ndershme. Heshtja jonë në votime përkthehet në zë për ata që duan të na kthejnë prapa në kohën e pasigurisë, prandaj pjesëmarrja është detyrim ndaj të ardhmes sonë këtu.”
Lidhur me procedurat teknike dhe afatet e përcaktuara, organizatorët njoftuan se zarfat zyrtarë të votimit pritet të mbërrijnë në kutitë postare të qytetarëve mes datave 20 dhe 27 maj. Grupi “Aktivistët” bën thirrje që ky proces të trajtohet me përparësi maksimale nga çdo familje. Që vota juaj të llogaritet dhe të jetë e vlefshme për llogaritjen përfundimtare të 14 qershorit, rekomandohet që zarfet të dërgohen mbrapsht me postë jo më vonë se data 9 ose 10 qershor. Ky afat garanton që dokumentacioni të arrijë në kohë pranë autoriteteve zgjedhore, duke shmangur vonesat postare që mund të penalizojnë vullnetin tuaj qytetar.
Grupi sindikal në Unia “Aktivistët” bëri të ditur se ky është vetëm fillimi, pasi do të organizohen edhe takime të tjera informuese për të siguruar që asnjë pyetje të mos mbetet pa përgjigje. Grupi mbetet plotësisht i hapur për ndihmë, këshillim dhe për çdo informacion plotësues që i shërben interesit të punëtorëve.
Për çdo paqartësi apo informacion shtesë, mund të drejtoheni në kontaktet zyrtare: [email protected] dhe [email protected]


E-Diaspora
-
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen” Aktiviteti për promovimin e librit të Edona Kelmendit u organizua nga LAPSH dhe Shoqata e Studentëve... -
Stockholm
Grupi i valleve “Tradita” sonte përfaqëson kulturën shqiptare në Stockholm -
Suedi
Suedi promovohet libri “Shqipëria, Orienti i Europës” i Sven Aurén -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Berlin
Festivali i Filmit Shqiptar po prezantohet në Berlin me 20 filma
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Zvicër: Hapet ekspozita e artistes shqiptare Dorina Ukgjini Zvicër: Hapet ekspozita “Kunst in Spreitenbach”, prezantohet edhe artistja shqiptare Dorina Ukgjini... -
Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicra, arrin në 413 mijë -
Përse ishte pezulluar procedura penale ndaj Klinikës së Zemrës në Cyrih -
Sukses i madh për Riola Xhemailin: Kampione e Holandës me PSV Eindhoven -
Burgdorf: Vdes një person i goditur nga treni, policia arreston disa të dyshuar














