Lajme

Nisma kundër qirave abuzive do t’i nënshtrohet referendumit në Zvicër

Shoqata e Qiramarrësve mblodhi mbi 140 mijë nënshkrime dhe kërkon kontroll të rregullt të qirave, me ulje të detyrueshme kur ato janë të pajustifikueshme

Shoqata Zvicerane e Qiramarrësve (ASLOCA) ka mbledhur mbi 140 mijë nënshkrime, duke siguruar numrin e nevojshëm për ta çuar në referendum popullor nismën kundër qirave abuzive, transmeton albinfo.ch.

Nisma kërkon që qiratë të monitorohen automatikisht dhe në mënyrë të rregullt, ndërsa në rast se konstatohet se një qira është e tepruar, ajo të ulet detyrimisht.

“Nëse një qira është e tepërt, ajo duhet të reduktohet”, deklaroi nënkryetari i ASLOCA Zvicër, Michael Töngi.

Sipas tij, aktualisht barra e kundërshtimit të qirave të larta bie tërësisht mbi qiramarrësit, të cilët shpesh hezitojnë të përballen me kompanitë administruese të pronave nga frika se mund të kenë pasoja, madje edhe të humbin banesën.

“Ky është një sistem i papranueshëm. Pronarët që kërkojnë qira të tepruara nuk duhet të jenë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar”, theksoi Töngi.

Nëse miratohet në referendum, iniciativa synon të forcojë mbrojtjen e qiramarrësve dhe të vendosë një mekanizëm më efektiv për kontrollin e çmimeve të qirasë në Zvicër. /Albinfo.ch