Lajme

SWISS shtyn rifillimin e fluturimeve drejt Dubait deri në fund të tetorit

Kompania ajrore zvicerane zgjat pezullimin për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, ndërsa fluturimet për Bejrutin mbeten gjithashtu të ndërprera

Kompania ajrore kombëtare zvicerane SWISS ka njoftuar se ka zgjatur pezullimin e fluturimeve drejt dhe nga Dubai deri më 24 tetor, në fund të orarit veror të fluturimeve, përcjell albinfo.ch.

Sipas kompanisë, vendimi është marrë për shkak të tensioneve të vazhdueshme politike në Iran dhe vendet fqinje, pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjeve iraniane ndaj shteteve të Gjirit, si dhe ndaj Izraelit.

Pasagjerët që kanë rezervuar tashmë fluturime për këtë destinacion mund të ndryshojnë rezervimin pa pagesë shtesë ose të kërkojnë rimbursim të plotë të biletës.

Ndërkohë, SWISS planifikon të rifillojë fluturimet drejt Tel Avivit më 1 gusht, ndërsa linja ajrore drejt Bejrutit do të mbetet e pezulluar deri më 24 tetor. /Albinfo.ch