Lajme

WEF mbron vendimin për ftesën e Trumpit në Davos

"Nuk mund të imagjinohet një forum i tillë pa Presidentin e SHBA. Ai është presidenti, presidenti i zgjedhur i ekonomisë më të rëndësishme në botë"

Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet të marrë pjesë me delegacionin  etij të madh në Forumin Ekonomik Botëror (WEF), që mbahet javën tjetër në Davos.

Kjo ndodh ndërkohë që Trump mishëron pothuajse të kundërtën e asaj që mbështet WEF: dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, thotë André Hoffmann, Bashkëpresident i Bordit të Fondacionit WEF, transmeton albinfo.ch

Megjithatë, përjashtimi i Presidentit të SHBA-së nga forumi do të ishte i gabuar, ka deklaruar Hoffmann në programin e lajmeve të së shtunës në Radio SRF.

Nuk mund të imagjinohet një forum i tillë pa Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është presidenti, presidenti i zgjedhur i ekonomisë më të rëndësishme në botë. Ne nuk mund thjesht, ta përjashtojmë atë. Nëse ai pranon ftesën tonë, atëherë sigurisht që jemi të kënaqur, raporton srf.ch.

Qëllimi i WEF nuk është shkëmbimi i fjalëve të këndshme. Qëllimi i forumit është shumë më tepër për arritjen e diçkaje së bashku. Për të arritur një mendim të përbashkët, duhet të dëgjohen edhe mendime të ndryshme, shpjegoi bashkëpresidenti i WEF.