Futboll

Werder nuk heq dorë nga Rashica

Milot Rashica ka kontratë me Werder Bremenin deri në vitin 2022

Edhe pse Milot Rashica është bërë objektiv i Schalkes, e cila e do atë në janar, Werder nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga ai.

Meqenëse futbollisti kosovar ka kontratë me Werder Bremenin deri në vitin 2022, vetëm një ofertë e majme mund ta bindte klubin gjerman të heqë dorë nga ylli i tij. Tashmë nuk është fshehtësi që klubet e njohura evropiane e pëlqejnë Milot Rashicën, shkruan Gazeta Express. Forma mbresëlënëse të cilën po e shfaq ylli kosovar me Werder Bremenin ka bërë që vushtrriasi të bëhet objektiv i tyre.

Interesim për anësorin ofensiv kishte shfaqur Milani, ndërsa atë e pëlqejnë edhe Schalke e Leipzigu. Mbi të gjitha, Schalke duket të jetë më e vendosur për përfaqësuesin kosovar.

Sipas mediave gjermane, klubi nga “Gelsenkirchen” i ka bërë gati 13 milionë euro për ta blerë në janar futbollistin kosovar. Mirëpo, “Sport Bild” shkruan se kjo shumë është e pamjaftueshme për një lojtar, i cili vlen më shumë se 20 milionë euro. Madje, mediumi gjerman e përmend edhe një ofertë që u tha muaj më parë se e kishte ofruar Benfica për Rashicën. Bëhet fjalë për 18 milionë euro, ofertë kjo që ishte refuzuar nga klubi gjerman.

Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022 dhe duket se klubi nga Bundesliga nuk do ta lërë 23-vjeçarin të largohet, të paktën deri në verën e ardhshme. E në verën e vitit 2020, nëse arrin ndonjë ofertë e majme dhe e parefuzueshme, Werderi do ta shqyrtonte me kujdes.

Schalke, nga ana e saj, ka probleme në sulm dhe është në kërkim të një futbollisti ofanziv. Klubi i njohur gjerman do ta nisë një ofanzivë për Rashicën gjatë janarit.

Në anën tjetër, Werderi nuk e ka vendosur ende çmimin për yllin kosovar. Rashica do ta pëlqente një eksperiencë në Spanjë, Itali ose Angli në të ardhmen, përcjell albinfo.ch.