Sport

Xherdan Shaqiri, margaritar i futbollit zviceran

Bashkëbisedë me Xherdan Shaqirin, i cili në moshën 19-vjeçare veçse vlen 10 milionë franga

Një ditë para lojës së kombëtares zvicerane me Bullgarinë, ku ylli shqiptar, Xherdan Shaqiri, shënoi tre gola, e përditshmja «Le Temps» ka botuar një portret simpatik të tij, ku ai flet për prejardhjen e tij shqiptare nga Kosova.

Xherdan Shaqiri është margaritar i futbollit zviceran, kështu fillon shkrimin «Le Temps» për lojtarin zvicerano-kosovar, i cili mahnit zviceranët me performancën e tij.  I saktë në takim, i veshur në xhinse, me maicë, me flokë përpjetë dhe që në start, me buzëqeshje. Xherdan Shaqirri, ylli i ri i futbollit zviceran, duke iu afruar të njëzetave, ndihet mirë në këpucët e tij. Një metër e gjashtëdhjetë e tetë, talent, ose 69 sipas disa burimeve, me kokë të vendosur mirë në vend…

«Shumë i shkurtër». Ç’ndienit kur dëgjonit këto dy fjalë në gojën e atyre që nuk besonin në talentin tuaja të futbollit ?

Xh. Sh.: E kam dëgjuar shpesh këtë, gjatë tërë fëmijërisë sime. Mirëpo, asnjëherë nuk ia kam vërë veshin ç’mendonin të tjerët. Doja të përparoj në rrugëtimin tim dhe atë pikërisht e kam bërë. E kam marrë gjithmonë trupin tim të shkurtër si diçka pozitive në fushë. Dhe, prej momentit që dikush si Maradona ia ka arritur, e dija se nuk ka absolutisht nevojë të jesh i madh për të arritur diçka në futboll.

Mirëpo sot, përkundrazi, të gjithë flasin për një ardhmëri të sigurt tuajën. Si mundemi të mbesim të qetë kur një listë e tërë e klubeve evropiane ju shikojnë me sy të butë?Nuk është lehtë të udhëheqet kur të gjithë flasin për ty, kur në titujt e gazetave e sheh emrin tënd krahas Mançester United, për shembull… Mirëpo e kam dëshmuar se është e mundur të rrish i qetë dhe i koncentruar mbi atë se ç’duhet të bëj në fushë. Nuk është lehtë ta ruajsh qetësinë, mendoj se është diçka që e kemi ose që nuk e kemi. Unë e gëzoj këtë veti. Jam rritur me prindër të rëndomtë dhe me kushte modeste.

Sipas vlerësimeve, ju vleni më së paku 10 milionë franga. Ç’ ju inspiron kjo ?

Xh. Sh.: E gjithë kjo është paksa çmenduri, është e sigurt. Para vetëm dy vjetëve isha thuaja falas (qeshje). Shifrat që qarkullojnë më duken të egzagjeruara, mirëpo, në të njëjtën kohë, për një lojtar zviceran në vitin 2011 të kesh një vlerë të tillë ka shumë domethënie. Kjo më jep ambicie, mirëpo edhe paksa krenari. Por nuk e stresoj veten me këtë, i marr gjërat ashtu si vijnë. Ndihem mirë në Bazel, me një Ligë të kampionëve për të luajtur. Nëse një ofertë perfekte bie gjatë ditëve që vijnë… (bashkëbiseda është realizuar në fund të gushtit, para mbylljes së Mercato. Shaqiri ka ndejtur në Bazel.) Duhet të shohim, nuk dihet kurrë se ç’do të ndodhë…Mund edhe të rrij këtu deri në të 30-at. Është e sigurt se në kokën time unë përgatis një plan karriere. Dua të dal jashtë vendit, të fitoj tituj më prestigjioz. Mirëpo, jetoj në të tanishmen. Dhe e di se nëse vazhdoj të jap performanca të mira, gjërat do të vijnë vetvetiu.

Cili do të ishte klubi juaj i ëndrrave ?

Xh. Sh.: Barcelona, sepse është ekipi më i mirë i botës, është shebull absolut. Mirëpo, këtu flasim për një ëndërr…Rruga është ende shumë e gjatë. Të kalosh nga Bazeli në Barcelonë, kjo nuk shkon kështu. Duhet një etapë ndërmjetësuese.

Keni ardhur nga Kosova në moshën 1-vjeçare, si fëmijë keni jetuar me dy vëllezërit tuaj si dhe motrën në një shtëpi pa nxehje, kurse tani jeni një ndër personat më të kërkuar të Zvicrës. A mund ta konsiderojmë historinë tuaj si një përrallë ?

Xh. Sh.: Po, përafërisisht ashtu është. I kam bërë tërë juniorët në FC Bazel dhe tani jam një shembull për shumë të rinj. Ka fansa, mediat, aq zhurmë përreth meje…Qofsha në terren apo në rrugë, duhet të jem i kujdesshëm për çdo gjë që bëj dhe ç’them.

Cili është elementi më i rëndësishëm në karrierën tuaj: koka juaj apo këmba e majtë ?

Xh. Sh.: Shumica e futbollistëve dinë të luajnë me këmbët e tyre dhe aty duhet gjykuar ato, për sa i përket kokës, gjykimi bëhet më rrallë. Mirëpo, sidomos në kokë duhet të jesh i fortë, pra në nivel të mendjes.

Njerëzit kanë tendencë të mendojnë se futbollistët nuk janë shumë inteligjentë. Ç’ keni për t’ ju thënë për t’u «mbrojtur» nga ky mendim ?

Xh. Sh.: Është e vërtetë se disa lojtarë i mshojnë topit, dhe kjo është e tëra. Mirëpo, edhe njoh djelmosha që janë shumë inteligjent. Ka, pra, futbollistë inteligjentë dhe mendoj të jem njëri prej tyre.

Në verën 2009 keni nënshkruar kontratën e parë profesionale. Dy vjet pas, i keni fituar dy tituj kombëtarë dhe një kupë të Zvicrës me Bazelin, keni zbuluar Ligën e  Kampionëve, keni marrë pjesë në një kupë botërore me ekipin e Zvicrës dhe keni luajtur një finale të Euros me M 21… Çfarë ka ndryshuar më së shumti në jetë tuaj ?

Xh. Sh.: Raportet e mia me njerëzit. Duhet ta bëj dallimin mes atyre që ma duan të mirën dhe të tjerëve. Prej se jam i njohur, ka shumë «kusherinj» nga Kosova që kanë dalë nga askundi dhe do të ketë të tjerë. Përnjëherë, ka shumë shokë. Me femrat, është po e njëjta gjë. Nuk është lehtë të dihet nëse ato e duan Xherdanin ose janë të interesuara për Shaqirin. Për mua, është po i njëjti person. Mirëpo, të tjerët e bëjnë dallimin.

A e shihni veten si baba i një familje ?

Xh. Sh.: Po, e imagjinoj. Mirëpo, është paksa herët tani për tani: ende nuk e kam gjetur femrën e jetës sime.

Vëllai juaj, Erdini, i cili është agjenti juaj, ka deklaruar një ditë se babai juaj «i kishte dërguar tre djemtë e tij të luajnë futboll që të mos aterrojnë nëpër stacionet e trenit». Ç’ kishte ndodhur me Xherdan Shaqirin pa futbollin ?

Xh. Sh.: Nuk e di se si kisha përfunduar, e kam ndjekur një zanat të shitësit në një shitore të rrobave. Mirëpo, do të isha dikush i përshatshëm. Unë i jam mirënjohës babait tim, sepse më ka inkurajuar të luaj futboll, mirëpo edhe nuk ka qenë asnjëherë prapa meje duke më bërtitur, ashtu siç veprojnë shumë prindër. Unë kam pasur fatin që babai im është një person i qetë.

A ju ka shkaktuar prejardhja juaj kosovare vështirësi në fusha apo në terren të futbollit zviceran ?

Xh. Sh.: Jo, për fat, kurrë nuk kam pasur as më të paktin problem me këtë, kurrë nuk kam vuajtur nga një gjë e tillë. Dhe tani, mendoj se zviceranët janë krenarë të shohin se ia kthej vendit atë që kam marrë. Kosovarët kanë nganjëherë reputacion të keq dhe tani më takon të tregoj anë pak më pozitive.

Në këtë drejtim, ju keni një rol thuaja politik, apo jo ?

Xh. Sh.: Po, mund të themi. Trajektorja ime shkon në favor të integrimit. Për të rinjtë kosovarë, sikurse për zviceranët e rinj. Jam bërë një figurë identitare. Dhe është një rol që e luaj me shumë kënaqësi.

Në përgjithësi, fjala «politikë» i frikon futbollistët.

Xh. Sh.: Unë jam një person i hapur dhe i guximshëm, sikurse në fushë dhe në jetë. Nuk frikohem ta them atë që e mendoj, edhe pse, në thellësi të mendjes sime, duhet gjithmonë ta dish kufirin se ç’mund të themi e çfarë jo, se ç’mund të bëjmë dhe se çka nuk mund të bëjmë.

Ç’ ju inspiron fakti që e mbani dresin e ekipit të Zvicrës ?

Xh. Sh.: Kjo është diçka shumë me rëndësi për mua. Jam i lindur në Kosovë, mirëpo këtu jam rritur. Të luash për Zvicrën, është në të njejtën kohë nder dhe diçka krejtësisht normale. Llogaris deri më tani 12 seleksionime në një moshë 19-vjeçare dhe jam krenar për këtë.

Hera e trembëdhjetë do të jetë të martën, më 6 shtator, kundër Bullgarisë. A besoni ende në një pjesëmarrje në Euro 2012 ?

Xh. Sh.: Kohët e fundit i jam përkushtuar FK Bazelit. Mirëpo, kjo lojë është në kokën time, është e qartë. Nëse fitojmë, do të kemi gjasa për një vend të dytë në grup. Është e mundur.

Veç kësaj, një dinamikë e re është duke marrë formë në këtë ekip. Cila është situata në lokalet e veshjes së garderobës së ekipit zviceran prej tërheqjes së Frei, Streller dhe Grichting ?

Për mua dhe për shumë të tjerë, është një fat i madh. Para, një apo dy vjetësh, në kombëtare kishte shumë pak të rinj. Tani është mirë që një gjeneratë e re po arrin dhe që Ottmar Hitzfeld ka vërejtur se mundemi të sjellim diçka. Në lokalet e garderobës ka ndërrim edhe ambient. Ka plot të rinj që vijnë nga të gjitha anët…