Lajme
Zelensky flet para Kongresit në SHBA: Paratë e dhëna për Ukrainën nuk janë bamirësi, por investim
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, mbajti fjalim para Kongresit amerikan, duke shprehur falënderime për ofrimin e ndihmës financiare për vendin e tij, ndërsa vuri në dukje se paratë e dhëna “nuk janë bamirësi”, por “një investim”.
“Paratë tuaja nuk janë bamirësi. Është një investim në sigurinë dhe demokracinë globale që ne e trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme”, tha Zelensky në seancën e përbashkët të dy dhomave të Kongresit amerikan.
“Faleminderit për pakot financiare që na keni dhënë tashmë dhe për ato për të cilat mund të jeni të gatshëm të vendosni”, tha ai.
Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë, gjatë së cilës ai njoftoi një pako ndihme ushtarake prej 1,85 miliard dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë një sistem të mbrojtjes raketore Patriot.
“Ukraina nuk ra”, theksoi Zelensky gjatë fjalimit të tij në Kongres. “Ukraina është e gjallë dhe po godet”.
Ai tha se beteja e tyre nuk është vetëm për “territor”, “liri” dhe “siguri” për ukrainasit, por për “çdo komb tjetër”.
“Bota është shumë e ndërlidhur dhe e ndërvarur për të lejuar dikë të qëndrojë mënjanë dhe në të njëjtën kohë të ndihet i sigurt kur një betejë e tillë vazhdon”, tha Zelensky.
Duke kujtuar vizitën e tij të papritur në qytetin Bakhmut në rajonin lindor Donetsk, ai tha se ushtria ruse dhe mercenarët kanë sulmuar këtë qytet që nga maji.
“Ata e kanë sulmuar atë ditë e natë, por Bakhmut qëndron”, tha ai.
Zelenskyy tha se Rusia ka një “përparësi të konsiderueshme” në artileri dhe municione, “por forcat tona mbrojtëse qëndrojnë”.
Duke theksuar edhe një herë se vendi i tij nuk do të dorëzohet, ai u tha ligjvënësve amerikanë se mbështetja e tyre është “e rëndësishme jo vetëm për të qëndruar në një luftë të tillë, por për të arritur në pikën e kthesës për të fituar në fushën e betejës”.
“Ne kemi artileri. Po, faleminderit, kemi. A është e mjaftueshme? Sinqerisht, jo me të vërtetë”, tha ai.
Zelensky shtoi se më shumë topa dhe predha nevojiten për ta bërë ushtrinë ruse të tërhiqet plotësisht.
“Ukraina nuk u kërkoi kurrë ushtarëve amerikanë të luftojnë në tokën tonë në vend se të luftojmë ne. Ju siguroj se ushtarët ukrainas mund të operojnë në mënyrë perfekte vetë tanket dhe avionët amerikanë”, tha ai./AA
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Itali
Ambra Marku ngjitet në skenën e Sanremos, 12-vjeçarja përfaqëson Shqipërinë në “Ariston” Talenti i ri nga Lezha do të konkurrojë më 14 prill në finalen e “Sanremo Junior”,... -
Gjermani
“Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë -
Aeroporti i Prishtinës shënon rritje të fluturimeve dhe udhëtarëve -
Shqiptarë nga e gjithë bota bashkohen në Tiranë, publikohet agjenda e Samitit IV të Diasporës -
Pashkët, mesha në gjuhën shqipe bashkoi rreth 2000 besimtarë shqiptarë në Frauenfeld
Jeta në Zvicër
-
Mendimet për vetëvrasje tek të rinjtë në Zvicër: Një krizë e heshtur Në Zvicër, mesatarisht dy të rinj kryejnë vetëvrasje çdo javë, duke e bërë këtë një nga... -
Demokracia në Zvicër: Pse disa iniciativa nuk zbatohen plotësisht -
Si adoleshentët e rekrutuar përmes Snapchat vjedhin makina luksoze në Zvicër -
Stadler Rail tërheq ankesën kundër vendimit të SBB për të favorizuar Siemens -
Inteligjenca artificiale ndihmon për të zvogëluar mbeturinat në furrat zvicerane










