Lajme

Zelensky shpallet njeriu më i guximshëm i vitit 2022 nga ‘Financial Times’

“Jam më i përgjegjshëm se sa i guximshëm”

Nëntë muaj në një luftë brutale për mbijetesë kombëtare kundër pushtuesve rusë, Volodymyr Zelenskyy duket i lodhur, me rrathë të errët poshtë syve. Ajo çfarë ai do të dëshironte të bënte në vend që të përballej me një pushtues të pamëshirshëm, është të peshkonte me djalin e tij.

“Do të doja thjesht të peshkoja një krap në lumin Dnipro”, – thotë ai. Për të shijuar jetën normalisht, presidentit mund t’i duhet të presë ende gjatë, pavarësisht nga seria befasuese e sukseseve në fushën e betejës të forcave të Ukrainës.

Por mesazhi popullor është karakteristik për një lider që ende e përshkruan veten si një njeri i zakontë me shije të përulura dhe një ndjenjë të thellë humanizmi – falë këtyre cilësive ai ka fituar admirimin e ukrainasve dhe mbështetësve të tyre jashtë vendit.

Është imazhi që reflektohet në pasqyrë i presidentit imagjinar, ai që interpretoi në një seri televizive satirike të suksesshme që e bëri të famshëm. Por është edhe antiteza e presidentit rus, Vladimir Putin, i fshehur në Kremlin, fiksimi i të cilit për të rindërtuar një perandori, i ka kushtuar dhjetëra, ndoshta qindra, mijëra jetë.

I konsideruar nga shumë ukrainas, para pushtimit të shkurtit, një lloj barsolete, një amator që përpiqet të përballet me sfidën e postit të lartë, 44-vjeçari Zelenskyy ka fituar një vend në histori, për shkak të shfaqjes së jashtëzakonshme të tipareve të udhëheqësit dhe qëndresës.

Ukraina befasoi botën, duke shmangur sulmin rus në Kiev dhe me kundërsulmet e saj në provincat e Kharkiv dhe Kherson. Ajo ka rimarrë gjysmën e territorit që trupat e Moskës kishin pushtuar këtë vit. Tani, forcat e Zelenskyy-t po ecin përpara në jug dhe në lindje, edhe pse dimri po fillon, me synimin për të çliruar të gjithë territorin ukrainas, duke përfshirë rajonin e Donbasit dhe Krimenë.

Ashtu si Winston Churchill zgjodhi radion për të mobilizuar vendin gjatë Blitz-it, Zelenskyy ka përdorur mediat sociale për të bërë fushatë të pamëshirshme, për të marrë mbështetje ushtarake dhe financiare nga Perëndimi, duke e kthyer gjendjen e vështirë të popullit të tij në levë morale mbi udhëheqësit europianë dhe amerikanë.

Ai ka bindur europianët të mbështesin kostot e mëdha të qëndrimit ndaj Putinit dhe t’i ofrojnë Kievit një rrugë drejt anëtarësimit në BE. Në këtë mënyrë, ai është bërë një simbol i demokracisë liberale në garën më të gjerë globale me autoritarizmin, që mund të përcaktojë rrjedhën e shekullit XXI.

Zelenskyy mishëron edhe guximin dhe rezistencën e popullit ukrainas në luftën kundër pushtimit rus. Dhe për këtë arsye, Financial Times ka zgjedhur Zelenskyy si “Njeriun e Vitit”.

Në një intervistë për Financial Times, Zelenskyy kujton ditët e para të pushtimit dhe thotë se nuk është me të vërtetë i guximshëm. “Jam më shumë i përgjegjshëm se sa i guximshëm…. Nuk më pëlqen t’i zhgënjej njerëzit”.

Shefi i fuqishëm i shtabit të Zelenskyy, Andriy Yermak, kujton se si tre vite më parë, ai u tha një grupi gazetarësh perëndimorë se “presidenti ynë do të ishte udhëheqësi më i famshëm dhe më i fortë i kohës së tij”.

Ai shton: “Nuk do të them se e pata thënë, por kisha të drejtë”. Vendimi i Zelenskyy për të qëndruar në Kiev në fillim të pushtimit, në vend që të pranonte ofertën e evakuimit të SHBA-së, ishte një prej momenteve më të rëndësishme të luftës, duke nxitur ushtrinë e Ukrainës dhe popullin e saj për të rezistuar. Për ukrainasit dhe aleatët perëndimorë ishte një surprizë, të cilët kishin pak pritshmëri nga liderët politikë të vendit.

Ditët para pushtimit, Zelenskyy dukej se e mohonte perspektivën e një sulmi gjithëpërfshirës rus ndaj vendit të tij.

Vendimi i vështirë

“Jam Presidenti i Ukrainës, do të qëndroj këtu dhe mendoj se i di më mirë detajet” – u tha ai gazetarëve, pasi kish folur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Kur nisi pushtimi, 10 ditë më pas, nuk ishte e qartë nëse Zelenskyy do t’i mbijetonte asaj dite. Ai flinte pranë së shoqes, Olena Zelenska, në pallatin presidencial të Kievit, ndërkohë që goditën raketat e para dhe tanket ruse kalonin përtej kufirit.

Ndërsa Olena dhe fëmijët janë evakuuar në një vend që nuk dihet, presidenti është zhvendosur me personelin dhe truprojat në një bunker nëntokësor të pallatit. Menjëherë pas kësaj, forcat speciale ruse u hodhën me parashutë.

Bashkëpunëtorët lokalë, të infiltruar në radhët e shërbimit të sigurisë ukrainase, të cilët zhvendosur në heshtje në shtëpitë e sigurta pranë zonës së qeverisë, u përpoqën të sulmonin zyrën e tij. Ata nuk ia dolën, por për pak.

Udhëheqësit e BE u tronditën kur Zelenskyy u tha atyre në një video-telefonatë se ajo mund të ishte hera e fundit që ata e shihnin gjallë.

Por më vonë në atë mbrëmje, Zelenskyy, duke qëndruar jashtë pranë zyrës presidenciale dhe i rrethuar nga këshilltarët më të afërt, dërgoi një mesazh nëpërmjet video që miliona ukrainas kishin dashur ta dëgjonin: “Presidenti është këtu. Jemi të gjithë këtu. Ushtarët tanë janë këtu”.

Nëntë muaj më vonë, forcat ruse janë sprapsur nga Kievi, edhe pse vijojnë ta kërcënojnë kryeqytetin me sulme javore, me raketa kundër rrjetit të energjisë, duke lënë miliona në errësirë.

Në pallatin presidencial, askush nuk është i rrezikuar: përgjatë korridoreve janë vendosur pozicionet e qitjes me thasë rëre, sikur forcat speciale ruse të mund të sulmonin përsëri ndërtesën.

Jeta imiton artin

Zelenskyy ka lindur në një familje ukrainase-hebraike në Kryvyi Rih, një qytet në Ukrainën jug-qendrore. Nëna e tij ishte inxhiniere, ndërsa i ati, profesor i informatikës. Në shkollë, ishte i përkëdheluri i mësuesve, thotë ai – pasi isha i besueshëm dhe me sens humori. “Të gjithë më donin. Isha energjia e çdo grupi” – rrëfen Zelenskyy.

Ai e njohu Olena-n në shkollë. Ata u afruan në universitet, ku ai studio ligj, kurse ajo, arkitekturë. Ata krijuan më pas një trupë komedie dhe një shoqëri produksioni të suksesshme. “Kvartal 95”, e cila mban emrin e lagjes ku ata janë rritur, ka bërë turne në Ukrainë dhe Rusi, përpara se të realizonte një serial televiziv hit, që shërbeu si pikënisje e karrierës së Zelenskyy në politikë.

Ai shpalli kandidaturën në zgjedhjet presidenciale Natën e Vitit të Ri 2018, me një platformë anti-establishment dhe antikorruptive, çuditërisht shumë të ngjashme me atë të personazhit që interpretonte në TV. Më pak se katër muaj më pas, ai mundi presidentin aktual, Petro Poroshenko, me një rezultat dërrmues, duke fituar 73 për qind të votave.

Politikani i ri trashëgoi një vend që kishte qenë në luftë me Rusinë, që prej pushtimit për herë të parë në 2014 dhe është zotuar se do të sillte paqen. Ukrainasit, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe qëndrimit militant të Poroshenkos, panë te Zelenskyy, një rusishtfolës që supozohej se shihte më pozitivisht në Moskë, një njeri që do të arrinte një marrëveshje për t’i dhënë fund gjakderdhjes.

Me sa dukej, Putini, nuk ishte i hapur për asnjë kompromis. Në fronte të tjera, rezultatet e arritura nga Zelenskyy gjatë dy viteve e gjysmë të para të presidencës ishin pak të thuash konfuze.

Ai miratoi reforma të rëndësishme, duke përfshirë shitjen e tokës, por bëri pak përparim në trajtimin e korrupsionit ose zvogëlimin e ndikimit të oligarkëve ukrainas. Ai qeveriste nëpërmjet një klike të vogël togerësh të besuar, por shpesh të pakualifikuar, shumë prej të cilëve miq ose bashkëpunëtorë të vjetër nga karriera e tij e botës së spektaklit.

“Ka shumë njerëz të çuditshëm rreth tij, shumë vendime të çuditshme”, – thotë një ish-anëtar i qeverisë së tij. Shumë e akuzuan Zelenskyy për një linjë autoritare.

Ai shkarkoi zyrtarët pasi nuk arritën rezultate të menjëhershme. Një ligj kundër oligarkëve i miratuar në vitin 2021, edhe pse kishte qëllime të mira, i dha presidentit fuqi arbitrare për të vijuar hakmarrjet personale ose politike, transmeton monitor përcjell albinfo.ch.

Përpjekja e tij për të ndjekur penalisht për tradhti paraardhësin e tij Poroshenko, manjat i ëmbëlsirave, u denoncua nga kryeqytetet perëndimore. Edhe disa anëtarë të stafit të Zelenskyy pranojnë se ai mund të jetë i ndjeshëm ndaj kritikave.

Ai vetë thotë se një gjë që ka mësuar që nga shkurti është “të mos ofendoheni nga gjërat e vogla”. Diplomatët që kanë ndjekur presidencën e tij thonë se ai nuk u beson arsyeve perëndimore dhe ende i frikësohet tradhtisë.

“Fati na ka zgjedhur”

Dyshimet nëse Zelenskyy ishte i përshtatshëm për të udhëhequr kombin e tij në luftë u zhdukën me sulmin e Rusisë. Presidenti dukej se hyri në një rol të ri – së bashku me veshjen e re kaki.

Iuliia Mendel, e cila ka shërbyer si sekretare e medias e Zelenskyy, thotë se atij i mungonte përvoja dhe disiplina për të qenë një udhëheqës i madh në kohë paqeje, por ishte më i përshtatshëm për të udhëhequr gjatë trazirave të luftës. “Ai është një person që e do kaosin – thotë ajo. – Në luftë ka kaos. Ai ndihet si në shtëpinë e tij”.

Ruslan Stefanchuk, zëdhënës i Parlamentit ukrainas dhe një aleat i ngushtë politik, vuri në dukje ndryshimin në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes më 24 shkurt. “Ai kishte një shpirt shumë, shumë luftarak, – do të thoja. Dhe ai tha: “Shikoni, historia na ka zgjedhur. Fati na ka zgjedhur. Dhe tani ne duhet të jemi në lartësinë e duhur”.