Kosova

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë pritet të mbahen më 31 maj ose 7 qershor

Cakolli sqaron hapat kushtetues pas shpërndarjes së Kuvendit: Zgjedhjet deri më 31 maj ose 7 qershor

Analisti Eugen Cakolli ka sqaruar procedurat kushtetuese që pasojnë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendi tashmë hyn në një periudhë të kufizuar funksionimi institucional deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, tani që Kuvendi konsiderohet i shpërndarë me efekt kushtetues, ushtruesja e detyrës së presidentes ka afat prej 10 ditësh për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimeve me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, transmeton Zeri.info.

Cakolli thekson se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit, por jo më herët se 30 ditë. Ai sqaron se, ndonëse data e zgjedhjeve duhet të shpallet brenda 10 ditëve, kjo nuk e ndryshon afatin maksimal për mbajtjen e tyre.

Sipas tij, kufiri i fundit për organizimin e zgjedhjeve bie më 31 maj ose 7 qershor.

Ndërkohë, Cakolli ka renditur edhe pasojat kryesore institucionale që sjell shpërndarja e Kuvendit.

Ai thekson se me shpërndarjen e Kuvendit përfundon edhe mandati i Qeverisë. Sipas tij, nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit dhe planit vjetor.

Në këtë periudhë, Qeveria nuk mund të propozojë projektligje të reja, strategji apo dokumente politike, si dhe nuk mund të bëjë emërime apo marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim.

Po ashtu, ai thekson se rreth 30 projektligje që kanë qenë në procedurë parlamentare rikthehen në pikën zero, pasi procesi legjislativ duhet të nisë nga fillimi pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.

Një tjetër pasojë, sipas Cakollit, është edhe fakti se raportet e institucioneve të pavarura mbesin pa shqyrtim, duke pezulluar procesin e llogaridhënies deri në krijimin e legjislaturës së re.

Në përfundim, Cakolli vlerëson se deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe formimin e institucioneve të reja – proces që mund të zgjasë të paktën tre deri në katër muaj – Kosova do të funksionojë në një lloj “pauze” institucionale./Albinfo.ch