Kosova

Zhvillimet e fundit nga Gjykata Speciale

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, ka folur për zhvillimet në çështjet të cilat po i trajton kjo gjykatë, teksa ka njoftuar se është marrë vendimi që të shqyrtohet mundësia për lirimin e parakohshëm të Nasim Haradinajt.

Ajo ka thënë se kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova, ka theksuar se Haradinaj ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit dhe për këtë arsye, gjyqtarja kishte urdhëruar administratoren që të paraqesë një raport lidhur me sjelljen e tij gjatë kësaj kohe.

“Po më 12 tetor, kryetarja vendosi se do të shqyrtojë modifikimin e dënimit të z. Nasim Haradinaj pasi të ketë marrë një raport nga Administratorja Fidelma Donlon, lidhur me sjelljen e z. Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Ndonëse, kryetarja mori parasysh një sërë faktorësh që mund të jenë në favor të modifikimit të dënimit, ajo thekson se z. Haradinaj ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit. Për këtë arsye, kryetarja urdhëroi administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar, në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”, ka thënë ajo.

Griep ka thënë se vendimi për lirimin e parakohshëm të Hysni Gucatit është me disa kushte, shkruan albinfo.ch.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, më 12 tetor 2023 vendosi të modifikojë dënimin e z. Hysni Gucati për lirimin e tij në bazë të disa kushteve. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit. Z. Gucati mbërriti në Kosovë më 17 tetor 2023”, tha Griep, përcjell “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket çështjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Griep u shpreh se të njëjtëve më 16 tetor iu është vazhduar masa e paraburgimit teksa tha se gjatë kësaj jave kanë dhënë në seancë të mbyllur dëshmitë e tyre dëshmitari i 29-të dhe 30-të në këtë proces si dhe seanca e radhës është caktuar për 30 tetor.

Në anën tjetër, ajo ka njoftuar se seanca vijuese në çështjen ndaj Pjetër Shalës do të mbahet më 23 tetor.

“Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, versioni publik i vendimit mbi kërkesën urgjente të mbrojtjes për lirim të përkohshëm të z. Shala për arsye humanitare, i datës 17 gusht, u bë publik. Trupi gjykues e rrëzoi kërkesën me arsyetimin se mbrojtja e z. Shala nuk paraqiti informacion thelbësor për këtë vendim. Sidoqoftë, trupi gjykues theksoi se ky vendim nuk paragjykon kërkesa të ngjashme që mbrojtja mund të dorëzojë në të ardhmen. Seanca vijuese në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 23 tetor në orën 9:30 të mëngjesit. Të gjitha parashtrimet e protokolluara publike dhe vendimet që përmenden këtu gjenden në faqen e internetit të DHSK-së”, deklaroi ajo.

Në lidhje rastin ndaj Salih Mustafës, Griep tha se Paneli i Apelit më 12 tetor ka lëshuar urdhër për përgatitjen e seancës së apelit që është planifikuar të mbahet më 26 dhe 27 tetor.