Sport

Zvicër-Shqipëri: Pavarësisht humbjes, festuam së bashku

E shtunë, herët në agim: Zgjimi ka qenë shumë i vështirë për birin tim dhe për mua. Një sakrificë e madhe, sidomos për një të shtunë në mëngjes, me që na duhej të shkonim nga Lozana në Gjenevë, pastaj të ngjitemi në tren (TGV), për të qenë të pranishëm në takimin e shumëpritur në Lens mes ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe atij të Zvicrës. Për të mos harruar asgjë, biri im kishte marrë mundin më parë për të përgatitur me kujdes fanellën e tij të Kombëtares – të cilin ia pata hekurosur vonë natën për t’ia mbaruar qejfin – i mbështjellë me shallin që sapo ia kishte ofruar tezja e tij për ditëlindje; për të mos përmendur edhe flamurin e madh me shqiponjën dykrenare, me të cilin i ishte mbështjellë pothuajse krejtësisht. Me pak fjalë, me pajisje të plotë! Ai ecte me krenari në stacionet e trenit të Lozanës dhe të Gjenevës. Si shumë i zhvilluar me shtat, ai binte në sy ndërsa ishim duke pritur trenin. Dhe kjo nuk mungoi të frymëzojë tifozët kroatë, të cilët këndonin ndjeshmëri “Urra Zvicër”. Ai vetëm u dhe një buzëqeshje të madhe si shenjë përgjigje.

Së fundi arritëm të ulemi në trenin për Paris (Gare de Lyon). Para nesh qëndronin katër persona shumë të gjallë nga Gjeneva, jaranë dhe mbështetës të pakushtëzuar të ekipit zviceran, ndërsa tashmë kishin filluar të hapnin birrat që nga ora 6:30 e mëngjesit. Në një çast, njëri prej tyre, me shpinë të kthyer nga unë ishte duke lexuar gazetën e mëngjesit. Dhe krejt rastësisht, ai u ndal në një faqe ku paraqitej fotografia ime e madhe si dhe intervista ime me titullin: “Pesha e rrënjëve anulohet”. Që nga ky moment, një stres më kaploi, a do të reagonte vrullshëm lexuesi duke zbuluar komentet e mia ? Larg asaj, në të kundërtën, ai dhe miqtë e tij ndanin bindjen time se bisedat rreth të quajturit “Balkangraben” të Nati-së ishin absurde dhe të pavend. Për fat, ne u bëmë miq. Dhe, për një herë iu bashkëngjitëm pelegrinazhit për në Lens, i cili dukej se do të ndërlikohej për shkak të grevës që shiheshin matanë kufirit francez.

Me të zbritur nga treni, sytë na u mbushën nga pamja që mbretëronte atje. Në Lens të gjithë festonin  në veshje kuq, zi dhe bardhë. Unë mezi fshihja kënaqësinë kur pashë kryqin e bardhë dhe shqiponjën dykrenore në gjithë qytetin e Lens-it. Ishte një skenë surreale për një amator i futbollit si unë. Kishte tifozë kudo, ata vallëzonin në rrugë me tinguj nga të gjitha anët dhe bëheshin sikur nuk i shihnin  uniformat e forcave të rendit të CRS-it, të vendosur gjithmbarshëm për të qenë të dukshëm. Dekori veç se ishte i vendosur. Më e mira ishte se moti, të cilin e patën paralajmëruar të ngrysur, në fund të fundit, iu bashkëngjit ambientit festiv, duke na ofruar disa çaste me diell. Ekstazë e plotë, lumturi e çiltër.

Me të hyrë në stadium, atmosfera ishte imponuese, pothuajse solemne. Ne vetëm mund t’i bashkëngjiteshim gëzimit që mbretëronte nga numri i jashtëzakonshëm i mbështetësve. Ata ishin kryesisht shqiptarë, për disa që kishin udhëtuar nga larg dhe në kushte të vështira, nga gjithë Evropa dhe Ballkani. Kishte po ashtu edhe shumë zviceranë, të cilët vinin kryesisht nga territori zviceran. Hyrja në skenë dukej sikur një Eukaristi madhështore, sidomos në momentin e himnit shqiptar, ku një flamur gjigant shqiptar mbuloi pothuajse tërësisht njërën nga tribunat.

Ceremonia hyrëse i ngjante një arene romake, ku luftonin gladiatorët. Mënjanë, unë shpesh mendoja se futbolli ka edhe këtë funksion, argëtimin  e qytetarëve. Megjithatë me një dallim të rëndësishëm: në vend të Cezarit qëndronte tani logoja e UEFA-s.

Fillon ndeshja dhe gjërat e rëndësishme gjithashtu. Ndërsa ekipi kombëtar zviceran shënoi shpejt, atmosfera, e cila u shua një kohë pranë palës shqiptare, shpejt u bë elektrike: pra një atmosferë futbollistike, ku shpresa e madhe ishte që  të paktën të dilet me barazim. Nga ana e tij, biri im kishte humbur buzëqeshjen dhe lotët do i dilnin. U përpoqa ta ngushëlloj, po ishte kot. Edhe unë, pavarësisht nga afërsia që kisha për ekipin e Nati-së, u ndjeva i mërzitur për Shqipërinë. Sigurisht që kemi qenë të numërt që përjetonim këtë ndjenjë të dyfishtë, dhe kjo është e natyrshme.

Ndërkohë, vajza ime e vogël, nuk mungoi të thërret në telefon duke qarë: “Babi, pse Shqipëria po humb?” Unë i thashë: “Jo, edhe Shqipëria po fiton për shkak se ne po harrojmë se shumë lojtarë janë po ashtu shqiptarë dhe se luajnë në ekipin e Zvicrës”.  Pasoi një heshtje që përfundimisht e interpretova si një përgjigje qetësimi…

Pas ndeshjes, turma u shpërnda, në qetësi pothuajse madhështore. Fytyrat e prera dhe të heshtura të përkrahësve të Shqipërisë kontrastonin me gëzimin e mbështetësve zviceranë. Në mesin e tyre, ne vazhdonim të mbajmë dy simbolet e këtyre vendeve simotra, edhe pse ne nuk e dinim shumë mirë se si të vepronim. Kultivimi tradicional tolerant i ngjyrës së portokallit në Lens ndoshta mundësoi të relaksojë disi atmosferën. Megjithatë, fakti që ekipi kombëtar Nati ka shumë lojtarë me origjinë shqiptare, sigurisht se qetësoi zhgënjimin shqiptar, sepse asnjë fërkim nuk është vërejtur. Në mbrëmje, të gjithë shqiptarët dhe zviceranët hynë në një kuazi-bashkësi së bashku duke ndjekur ndeshjen e radhës, Anglinë kundër Rusisë. Natyrisht, shumica ishin në favor të Anglisë. Kah fundi i natës kemi parë ata, një nga një, duke vallëzuar së bashku, të dehur dhe të rraskapitur nga lodhja.

letemps5
Shkrim i Albinfo.ch i realizuar në partneritet me të përditshmen Le Temps