Maqedonia

Shqiptarët dhe rreziku i rikthimit të politikave monoetnike në Maqedoninë e Veriut

Një vështrim i regresit konsensual dhe transformimit të statusit konstituiv të shqiptarëve në në Maqedoninë e Veriut

Realizimi i të drejtave kushtetuese në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohet si proces linear apo teknik; ai është thellësisht politik dhe i kushtëzuar nga raportet e forcës ndërmjet komuniteteve dhe aktorëve politikë, në kuadër të një arkitekture institucionale të ndërtuar mbi parimet e demokracisë konsensuale, ku barazia ndërmjet komuniteteve nuk rrjedh vetëm nga dispozitat formale, por nga ekuilibrat e brishtë politikë që i japin funksionalitet rendit kushtetues. Në këtë kuptim, legjitimiteti i rendit kushtetues varet nga pranimi i tij i dyfishtë: juridik dhe politik.

Këto të drejta kanë qenë produkt i Marrëveshjeje paqësore pas konfliktit, e cila, në një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik maqedonas, është perceptuar si e imponuar nga jashtë. Ky perceptim nuk është thjesht çështje narrative, por ka prodhuar pasoja konkrete në mënyrën se si zbatimi i saj është sabotuar, zvarritur dhe deformuar.

Elitat politike maqedonase, të orientuara drejt ruajtjes së pushtetit me çdo kusht, kanë ndërtuar strategji të qëndrueshme për ta relativizuar dhe kufizuar substancën e këtyre të drejtave, duke e zhvendosur interpretimin e tyre drejt një modeli monoetnik. Në anën tjetër, partitë shqiptare, në vend se të ndërtonin një platformë të konsoliduar dhe afatgjatë, shpesh kanë instrumentalizuar pozitën e tyre vendimmarrëse për përfitime të menjëhershme politike, duke kontribuar kështu në një cikël të vazhdueshëm mosbesimi dhe polarizimi.

Kërkesat e artikuluara në mënyrë të fragmentuar dhe herë pas here maksimaliste kanë shërbyer si pretekst për mobilizim nacionalist te shumica maqedonase, duke legjitimuar rezistencën jashtëinstitucionale dhe diskursin kundër barazisë etnike. Kurse kërkesat e popullatës joshumicë, kur paraqiten jashtë një kornize të qëndrueshme institucionale, interpretohen si kërcënim ndaj shumicës dhe përdoren për të justifikuar rikthimin në modele më përjashtuese  të shtetndërtimit.

Nuk është rastësi që edhe përfaqësues të faktorit ndërkombëtar kanë sinjalizuar karakterin e sforcuar të kësaj dinamike. Ndërkohë, parimi “fituesi me fituesin”, që duhej të garantonte balancë dhe bashkëqeverisje, është degraduar në një instrument klientelist dhe selektiv.

Fitorja e fundit e VMRO-së nuk mund të interpretohet thjesht si rotacion i zakonshëm politik; ajo përfaqëson artikulimin e qartë të një revolte të akumuluar kundër politikave që synonin avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Diskursi për “rikthim” nuk është retorikë boshe, por shprehje e një projekti politik për rikonfigurimin e shtetit në linja më të theksuara monoetnike. Fakti që shumica parlamentare pas zgjedhjeve të fundit mund të formohet pa përfshirjen e  përfaqësuesve legjitim shqiptar ka zhbërë një nga mekanizmat kryesorë të balancës ndëretnike, duke e shndërruar përfshirjen e tyre në çështje vullneti politik / fakultative  .

Reduktimi i të drejtave nuk paraqitet si episod i izoluar, por si proces sistematik. Ndryshimet në fushën e përdorimit të gjuhës për reduktimin e përdorimit të saj dhe kufizimet në përfaqësimin adekuat institucional përbëjnë shenja të një tendence për të transformuar statusin e shqiptarëve nga subjekt konstituiv në kategori të zakonshme minoritare.

Në perspektivë normative, kjo nënkupton një zhvendosje nga parimi i barazisë substanciale drejt një interpretimi minimalist të të drejtave, të ngjashëm me standardet e aplikuara në shtetet unitariste pa marrëveshje të brendshme të tipit konsensual.

Reagimi i subjekteve politike shqiptare ,pjesëmarrëse në qeverinë e vendit, ndaj këtij zhvillimi ka qenë, në rastin më të mirë, i pamjaftueshëm dhe, në rastin më të keq, bashkëfajtor. Duke u fshehur pas justifikimeve për mangësi ligjore të trashëguara dhe duke adresuar përgjegjësinë ekskluzivisht te qeverisjet e mëparshme, ato kanë toleruar në heshtje një proces të qartë degradimi. Ky oportunizëm politik, i shoqëruar me mungesë vizioni strategjik, ka dobësuar kapacitetin e tyre për të vepruar si faktor real mbrojtës i të drejtave kolektive.

Ndërkohë, strategjia e aktorëve politikë maqedonas është sofistikuar: kështu mund të kuptohet  etiketimi i opozitës shqiptare  si “populizëm”, duke delegjitimuar paraprakisht çdo kundërshtim, ndërkohë që harrohet se pikërisht këtë çështje të quajtura “populiste” – si gjuha, historia dhe identiteti i bashkëqytetarëve tanë maqedonas – qëndrojnë si pengesë kryesore në procesin e integrimit evropian.

Paradoksi i kësaj qasjeje bëhet i dukshëm: kur kërkesat që preken elementet identitare të një komuniteti (edhe kur ato lidhen me synime strategjike të shtetit, si integrimi në BE) konsiderohen si të drejta , kurse  kërkesat e komunitetit tjetër ,(bashkëqytetarë të tyre )– në këtë rast të shqiptarëve, edhe kur këto të drejta janë për të drejtave të kodifikuara me Kushtetutë, etiketohen si “populiste”, “anakronike” apo “të padenja për shekullin XXI”.

Kjo qasje kontradiktore,krijon një standard të dyfishtë që rrezikon të riciklojë pakënaqësinë, revoltën dhe mospajtimin plebishitar të komunitetit shqiptar duke rrezikuar kështu qëndrimin e përbashkët dhe kohesionin ndëretnik dhe qytetar për të qëndruar bashkë ndaj  kërkesave joparimore të fqinjit tone i cili konteston elementet identitare të bashkëqytetarëve tanë, nga pozita e të qënit anëtar i BE.

Paralelisht evidentohet se për çështjet që prekin të drejtat e shqiptarëve rregullist po konsultohen instanca ndërkombëtare, si Komisioni i Venecias, me qëllim që ato të reduktohen në standarde minimale juridike, duke anashkaluar dimensionin e tyre politik dhe konsensual që buron nga karakteri multietnik i shtetit, i sanksionuar në Kushtetutë. Kështu anashkalohet fakti se standardet ndërkombëtare përfaqësojnë vetëm minimumin e të drejtave, ndërsa aranzhimet konsensuale kërkojnë zgjidhje specifike kontekstuale që RMV i ka legjitimuar në kushtetutën e bashkëpranuar.

Kjo qasje nuk është neutrale. Ajo ndjek dy objektiva të qarta: së pari, të transformojë të drejtat e shqiptarëve në të drejta të zakonshme të pakicave, duke mohuar karakterin e tyre konstituiv; dhe së dyti, të zvarrisë zgjidhjet përmes procedurave burokratike dhe teknike, duke fituar kohë për konsolidimin e ndryshimeve faktike në terren.

Pasojat e kësaj politike janë të drejtpërdrejta dhe potencialisht destabilizuese. Presioni i vazhdueshëm mbi popullatën shqiptare dhe margjinalizimi i përfaqësimit të saj politik rrezikojnë të minojnë besimin e ndërsjellë dhe të rrisin tensionet ndëretnike.

Përballë kësaj situate, nuk mjafton një qasje deklarative. Respektimi substancial i Kushtetutës duhet të jetë i padiskutueshëm, ndërsa politikat publike duhet të orientohen drejt forcimit real të barazisë qytetare dhe kohezionit ndëretnik. Çdo alternativë tjetër përbën jo vetëm devijim nga parimet demokratike, por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin e vendit.

A.D

Shkrimi është oponion i autorit dhe nuk pasqyron patjetër qëndrimin e redaksisë!