Lajme

Zvicër: Udhëtarët pa bileta ia panë “hairin” koronës

Shumë shfrytëzues të transportit publik, nuk kishin me vete bileta të vlefshme. Kjo ndodhte për një arsye të thjeshtë - kishte dukshëm më pak kontrollime

Për shkak të shtimit të punës nga shtëpia si pasojë e pandemisë, gjatë mbylljes në pranverën e një viti më parë kishte shumë më pak pasagjerë në trena dhe autobusë të Zvicrës, shkruan srf.ch.

Por, një numër i madh që shfrytëzonin transportin publik, nuk kishin me vete bileta të vlefshme, transmeton albinfo.ch. Kjo ndodhte për një arsye të thjeshtë – kishte dukshëm më pak kontrollim të biletave.

Kështu, agjencia e udhëtimeve lokale me autobusë, Postauto AG raporton një rritje të udhëtimit në të zezë prej 20 për qind për vitin e kaluar. Shkalla ishte më e larta sidomos menjëherë pas mbylljes, në pranverën e vitit 2020.

Subjektet tjera të transportit publik, si BLS dhe Zürcher Verkehrsbetriebe (VBZ) gjithashtu konfirmojnë që përqindja e udhëtimeve ilegale  pas mbylljes ishte më e lartë se më parë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkaq, SBB nuk publikon ndonjë shifër dhe i referohet Aleancës-SwissPass.

Alliance-SwissPass, organizata e sektorit të transportit publik në Zvicër, konfirmon një ulje masive të kontrollit në rajone të caktuara. “Në kohë të caktuara, kontrollet madje ishin ndalur plotësisht.

Kjo ka ndodhur, në rend të parë, për të mbrojtur stafin nga Covid-19, por gjithashtu për të qenë në gjendje të përdoret stafi për detyra të tjera”, thotë drejtori menaxhues Helmut Eichhorn për SRF News.

Regjistri kombëtar i mashtruesve me bileta ka regjistruar mbi 160,000 raste shtesë vitin e kaluar. Sapo kompanitë e transportit forcuan përsëri kontrollet e tyre gjatë dhe pas mbylljes, numri i udhëtarëve që shfrytëzonin transportin pa paguar biletë të vlefshme gjithashtu ka shënuar rënie.