E-Diaspora

Zvicra e Gjilanit

Ngado në qytet dhe fshatra sheh flamuj zviceranë e firma me emra qytetesh helvetike. Gjilani dhe rrethina e kanë shumicën e mërgimtarëve të përqendruar në Zvicër. Botërori është bërë shkas për ta manifestuar edhe më fuqishëm falënderimin për ndihmën e vazhdueshme të diasporës. Shkaqet janë të shumta

Shenja të Zvicrës shihen nëpër Gjilan dhe fshatrat përreth. Rrugëve të rajonit të Anamoravës bien në sy dhjetëra biznese me emra qytetesh zvicerane. Nëpër shtylla elektrike, xhama dyqanesh e tarraca shtëpish janë vendosur flamujt e shtetit helvetik. Fotografitë e tyre rrokën vëmendjen e mediave kombëtare në prag të ndeshjes ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, ku golashënues në fitoren e helvetikëve ishin dy nga katër shqiptarët që mbrojnë ngjyrat kuq e bardhë. Lojtari që ia siguroi Zvicrës fitoren 2 me 1 në minutën e fundit, Xherdan Shaqiri, u lind në Zhegër. Në ndeshje luajti edhe golashënuesi tjetër, Granit Xhaka, si dhe Valon Behrami e Blerim Xhemajli, shkruan Kohaditore, përcjell Albinfo.ch.

Krejt zviceranë

Por nuk është hera e parë që Gjilani dhe rrethina falënderon me vendosjen e flamujve zviceranë shtetin ku ndodhet pjesa më e madhe e mërgimtarëve të rrethinës.

“Jo, jo, flamujt i kemi vendosur një javë para ndeshjes. Flamujt i vendosim çdo vit. Natyrisht se kishte lidhje me ndeshjen, por kjo është një shenjë e mirënjohjes për krejt çfarë kanë bërë bashkatdhetarët tanë për ne”, thekson Kadri Selimi, pronar i kafenesë “Te Dushi”, ku u diskutua dhe u vendos për vendosjen e flamujve përgjatë Rrugës së Prishtinës në dalje të Gjilanit.

“Na krejt jemi zviceranë”, ndërhyn Nehat Miftari. “Krejt mahalla i kemi djemtë e të afërmit në Perëndim, por kryesisht në Zvicër. Mbi tetëdhjetë për qind e tyre na ndihmojnë për gjithçka. Janë humanistë”.

“Krejt i kemi në Zvicër. Unë i kam dy djemtë. Ky i ka vllazninë, ai tjetri kushërinjtë”, ndërhyn Ismeti, burrë në të pesëdhjetat, që nuk dëshiron ta tregojë edhe mbiemrin. Më fort i pëlqen të flasë për televizione. “Unë jam rritur me babanë e Albert Bunjakut”, thekson Ismeti, duke iu referuar ish-përfaqësuesit të Kombëtares zvicerane nga Gjilani, që më vonë mbrojti ngjyrat e Kosovës.

Selimi u është mirënjohës gjilanasve që jetojnë e punojnë në Zvicër për kontributin e vazhdueshëm për njerëzit në nevojë në Kosovë, sidomos për skamnorët.

“Ata janë donatorë të fortë. Na ndihmojnë edhe financiarisht, edhe kur i ka dikush punët ngushtë në lagje”, ngulmon Selimi, duke falënderuar veçanërisht mërgimtarët e Gjurishecëve për ndihmën e vazhdueshme. “Shefqet dhe Ramadan Isufi japin shumë për Rrugën e Prishtinës”, tregon ai.

“Unë i kam shtatë në Zvicër”, thekson Osman Limani, në fund të njëzetave. Ai ishte njëri prej atyre që me flamuj në dorë dolën nga “Te Dushi” dhe u ngjitën shtyllave për t’i vendosur një javë para Botërorit.

“17 Shkurti” i Zvicrës

11 flamuj valojnë nja dhjetë kilometra larg qytetit në fshatin Dobërçan. 11-shi simbolizon numrin e lojtarëve në fushë, tregon Arlind Abdyli (22), aktivist i fshatit, në njërën prej kafeneve ndanë rrugës Gjilan-Bujanoc. Në parmakun prapa tavolinës së Abdylit, flamur zviceran ka vendosur edhe pronari Rinor Morina.

“Ndeshja ishte shkaku, por lidhja jonë me Zvicrën është shumë më e madhe. Shumicën e mërgimtarëve i kemi atje dhe ndihma e tyre shihet ngado në fshat”, tregon Morina, duke kthyer kokën kah parku i fshatit, i rregulluar vite me parë me nismën dhe financimin e mërgimtarëve në Dobërçani, të mbledhur rreth shoqatës “17 Shkurti” në Zvicër.

Fshati ka 2.700 banorë. Banorët janë vetorganizuar që nga përfundimi i luftës për t’i trajtuar problemet e shumta të fshatit, si ato të infrastrukturës publike, por edhe për mbështetjen e aktiviteteve sportive, kulturore dhe të banimit, tregon Abdyli.

“Një ndër aktivitetet e para të pasluftës ka qenë ndërtimi i lapidarit për dëshmorët e fshatit dhe ndërtimi i parkut, i cili është mirëmbajtur gjatë tërë kohës nga banorët e fshatit me mbështetje financiare të bashkatdhetarëve tanë në Zvicër”, thekson Abdyli.

Punët që janë kryer janë përmbledhur edhe në raportin e Institutit GAP, “Komunitete të organizuara: Roli dhe rëndësia e qytetarisë aktive”, për fshatrat me vullnetarizmin më aktiv në Kosovë.

“Nga kontributet financiare vullnetare të banorëve të këtij fshati në diasporë dhe nga ata që jetojnë në këtë fshat, përveç parkut, është arritur që të rregullohet shtrati i lumit, largimi i mbeturinave, ndërtimi i së paku katër shtëpive për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, ndihma financiare për shërim të personave në nevojë”, thuhet në raport.

“17 Shkurti”, themeluar më 2009 nga dobërçanasit në Cyrih të Zvicrës, ka mbledhur në shtat vjetët e fundit rreth 250 mijë franga zvicerane. Të gjitha investimet janë pasqyruar edhe në uebfaqen e shoqatës, www.17shkurti.ch.

 Fshati zviceran

Në uebfaqe bëhet e ditur se mërgimtarët e Dobërçanit ndajnë bashkërisht pesë mijë franga në vit vetëm për pastërtinë e fshatit, që mirëmbahet nga dy punëtorë.

“Fshati Dobërçan, edhe pse gjendet në Kosovë, në Komunën e Gjilanit, çdo ditë e më tepër po u përngjan fshatrave zvicerane”, thuhet në uebfaqen e shoqatës.

Abdyli thotë se krejt organizimet në fshat janë jetësuar falë ndihmës së diasporës. “Krejt, bukuria dhe pastërtia në fshat, krejt, vijnë me mbështetje të diasporës”, thekson Abdyli.

Ai i prin ekipit të gazetës drejt bregu të lumit, ku një prind me qese najloni të mbushur me bukë, bashkë me fëmijët ushqejnë dhjetëra shota në ujë. U është ndërtuar edhe shtëpizë e drunjtë, e financuar nga “17 Shkurti”, tregon Abdyli, duke kërkuar që të dhënat të konfirmohen edhe në uebfaqe, ku gjithçka pasqyrohet me hollësi.

Abdyli dhe aktivistët e tjerë kujdesen që fotografitë e projekteve të realizuara t’u dërgohen mërgimtarëve financues. Ngjashëm ka vepruar edhe pas vendosjes së flamujve, shkruan Kohaditore, përcjell Albinfo.ch.

“Dhe ata janë gëzuar shumë”, thekson Abdyli fytyrëqeshur.

Flamujt i ka vendosur edhe Zhegra e Shaqirit. Madje disa ditë para Dobërçanit. Babai i yllit shqiptar të Zvicrës po i shikon ndeshjet në vendlindje. Zhegra ka diasporë të fuqishme që ndihmon fshatin për të gjitha nismat. Banorët thonë se ndihen të anashkaluar nga pushteti lokal. Por ndihmë të madhe japin mërgimtarët që nuk kanë shkëputur lidhjet me vendlindjen.

“Sportistët kosovarë janë ambasadorët më të mirë që ka Kosova. Ata nderojnë Kosovën, kurse analfabetët politikanë e shkatërrojnë Kosovën. Çfarë turpi është ky për ta. Për çka kanë me u krenu politikanët tanë?” – ka komentuar Londi Beli në njërën prej faqeve të shumta të komuniteteve të Zhegrës në “Facebook”.

Në Rrugën e Prishtinës në Gjilan, Selimi dhe myshterinjtë e tij iu gëzuan fort fitores së Zvicrës me Xhakën e Shaqirin që bënë shqiponjën pas shënimit të golave, por thonë se flamujt nuk do të hiqen edhe pas përfundimit të botërorit në mes të korrikut. “Flamujt e Zvicrës do të valojnë gjatë gjithë kohës së pushimeve të diasporës. Madje do t’i vendosim edhe te Gjermanisë, Francës, dhe vende të tjera perëndimore, ku kemi shqiptarë”, thekson Ismeti.

“Krejtve u jemi mirënjohës, por shumica e lagjes janë në Zvicër, andaj e nisëm me Zvicrën”.