Tematike

“Zvicra është në gjendje të ndjejë, ajo ka aftësi të larta”

Pas votimit të Zvicrës për natyralizim të lehtësuar, Mirishahe Limani-Hiler për albinfo.ch ka takuar një personalitet politik zviceran, i imigruar,Antonio Hodgers, i cili në moshën gjashtëvjeçare kishte ardhur me nënën dhe motrën e tij në Gjenevë për të kërkuar azil. Zvicra i dha atij azil politik. Nëntë vjet më vonë, ai fitoi pasaportën e kuqe me kryq të bardhë.

Anëtar i partisë ekologjike “Të gjelbërit”, në moshën 21-vjeçare ai u zgjodh deputet në Parlamentin e Gjenevës, në të cilin ka qëndruar 10 vjet. Më pas, në vitin 2007 u zgjodh në Këshillin Nacional, në Parlamentin zviceran. Në vitin 2013 lëshon ulësen në Bernë për të përqafuar një mandat të ri në kantonin e tij të pritjes e të adaptimit: Këshilltar shtetëror i Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

Sot, Antonio Hodgers udhëheq Departamentin e zhvillimit, të banimit dhe të energjisë, i njohur nga popullata e Gjenevës si burrështetas serioz, punëtor dhe i besueshëm që drejton projekte të mëdha për Gjenevën.

Këtë herë albinfo.ch është interesuar t’u paraqesë lexuesve të saj reagimin e tij në lidhje me natyralizimin e lehtësuar që zviceranët e votuan më 12 shkurt 2017.

Albinfo.ch: Ka tashmë 12 vjet që së bashku me kolegun tuaj, Pierre Maudet, sot Këshilltar i Shtetit, i ngarkuar për sigurinë dhe ekonominë, keni bërë fushatë për t’u dhënë të drejta politike të huajve në nivel komunal në Gjenevë.

Është dashur të pritet deri në vitin 2005 që të huajve t’u akordohet e drejta për të votuar, me kushte të caktuara, në nivel komunal. Megjithatë, të huajt ende nuk kanë të drejtë të zgjidhen. Sot, nën iniciativën e Ada Marra, këshilltare nacionale nga Partia Socialiste, populli zviceran ka pranuar bindshëm, me 60.4%, natyralizimin e lehtësuar për nipërit e mbesat e emigrantëve (gjeneratën e tretë) që duan ta marrin pasaportën zvicerane.

Së pari, meqë edhe ju vetë ishit emigrant dhe keni bërë një rrugëtim të shkëlqyeshëm të integrimit dhe investimit në vendin tonë, cili është komenti juaj pas këtij rezultati të kënaqshëm?

Antonio H. : Më në fund! Ky është komenti im i parë. Ajo që më bën përshtypje më shumë është vala e ngritur e pohimit. Vetëm shtatë kantone kanë refuzuar! Ky është një rezultat që më kënaq sepse kjo tregon se Zvicra është në gjendje të ndjejë dhe qytetarët e saj – këtë herë – nuk kanë lejuar t’i bëjnë vend gënjeshtrave  dhe parullave të çmendura.”

Albinfo.ch: Çfarë mendoni, cili është hapi tjetër i radhës që populli zviceran duhet ta ndërmarrë për të luftuar kundër populizmit ekstrem që ka për qëllim dëmtimin e pranisë së të huajve në tokën zvicerane?

Antonio H. : Kudo populizmi, siç thoni ju, është gjë e rrezikshme, porse ai shkon më tej se koncepti i të huajve. Ai minon çdo gjë që është tjetër, më ndryshe se ai vetë. Luftimi kundër populizmit është luftë kundër të gjithë asaj që krijon kategori hierarkike: klasa e lartë kundër klasës më të pafavorshme, qytetarëve të mirë dhe të qytetarëve të këqij, burrat ndaj grave, zviceranët e vërtetë ndaj zviceranëve jo të vërtetë. Ne duhet të rezistojmë kundër këtij leximi të botës dhe kjo qëndrueshmëri e përditshme fshehet në detaje.

Albinfo.ch: A mendoni se sot fati i Zvicrës është në rrugë të mbarë?

Antonio H. : Zvicra ka përparësi serioze. Por, çfarë po ndodh me fqinjët tanë të afërt dhe të largët, vetëm na bën të jemi më vigjilentë. Në një kohë të pasigurisë ekonomike dhe të migracionit, në një kohë kur e ardhmja ngjall frikë më shumë se sa të ngjallë dëshirë apo zili, popullsia pret që autoritetet të angazhohen për një mjedis të qëndrueshëm dhe të qetë. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se fjala kyçe është “zotërim”. Të zotërohet politika jonë ekonomike, zhvillimi ynë territorial, burimet e energjisë, është mbrojtja më e mirë nga rritja e pakontrolluar dhe nga ulja e pandryshuar, ku të dyja mund ta çojnë Zvicrën në një rrugë të rrezikshme. Së fundi, unë gjithashtu mendoj se fati i çdo vendi është një përgjegjësi e përbashkët, natyrisht e të zgjedhurve politikë, e qytetarëve dhe, në përgjithësi, e të gjithë banorëve. Nuk do të pushoj asnjëherë që të mbroj angazhimin qytetar, kulturor, politik, ekonomik, militant në përgjithësi. Në përmbledhje, kombinimi i këtyre angazhimeve formon të ardhmen e një vendi.

Albinfo.ch: Kur do të vijë e drejta që të huajt të kenë mundësi të zgjidhen në jetën politike?

Antonio H. : Ndoshta së shpejti! Në vitin 2014 Jura u ka dhënë të drejtën të huajve që të mund të zgjidhen në ekzekutivin komunal (me përjashtim të postit për kryetar konune), të cilët jetojnë në Zvicër prej më se 10 vjetëve.