Lajme

Nuk ka certifikata Covid për zviceranët “e jashtëm” që kanë marrë AstraZeneca

Një zvicerane që jeton në Jordani donte të merrte certifikatën Covid. Ajo ishte vaksinuar dy herë kundër koronës në Jordani. Por, Zvicra refuzon t'i japë certifikatën

Certifikata Covid është në dispozicion për qytetarët e vaksinuar zviceranë që nga fillimi i qershorit. Mirëpo, ajo lëshohet vetëm për ata që vaksinohen me vaksinat e miratuara në Zvicër, shkruan srf.ch. Ndërsa AstraZeneca nuk është njëra prej tyre.

Certifikata Zvicerane Covid është e vlefshme si dëshmi se jeni vaksinuar kundër koronavirusit, keni dalë negativ ose jeni shëruar prej tij, transmeton albinfo.ch. Ndër të tjera, ajo ju mundëson të udhëtoni pa telashe.

Veç për udhëtim, ajo mund t`ju nevojitet për hyrje në koncerte: Disa organizatorë koncertesh ose operatorë restorantesh gjithashtu kërkojnë këtë dokument nga mysafirët e tyre. Prandaj, certifikata në fjalë është shumë e kërkuar.

Një zvicerane jashtë vendit e cila jeton në Jordan dëshironte të merrte certifikatën Covid. Ajo ishte vaksinuar dy herë kundër virusit korona në Jordani. Por, Zvicra refuzon t’i japë asaj certifikatën…

Vaksinat e paautorizuara

Cfarë ka ndodhur? Zvicerania në fjalë është vaksinuar në Jordani me vaksinën AstraZeneca të përdorur atje. Ndërsa, siç dihet, kjo vaksinë nuk është aprovuar ende në Zvicër. Prandaj, kjo është arsyeja pse nuk lëshohen certifikata për ata që vaksinohen me AstraZeneca: “Certifikatat Swiss Covid lëshohen vetëm për njerëzit që janë vaksinuar me vaksina të aprovuara në Zvicër”, thonë në BAG.

Deri më tani, në Zvicër janë aprovuar vetëm vaksinat nga Pfizer / Biontech, Moderna dhe Johnson & Johnson. Nëse, nga ana tjetër, jeni vaksinuar me AstraZeneca, Sputnik, Sinopharm ose Sinovac, e keni kot: Zvicra nuk ofron certifikatë Covid për këta njerëz të vaksinuar. Edhe turistëve të cilët janë vaksinuar spontanisht kundër koronavirusit gjatë pushimeve të tyre, u është dashur ta përjetojnë këtë.

Një përjashtim: Meqenëse Zvicra njeh plotësisht certifikatën Covid të BE -së, nuk ka rëndësi se cila vaksinë është injektuar atje, përcjell albinfo.ch. Pra, nëse vini në Zvicër nga një vend i BE-së ose Shengenit, nuk duhet të shqetësoheni se Zvicra mund të mos ua njohë vaksinimin.