E-Diaspora

Abetare për shqiptarët në Mal të Zi

Abetarja si dhe libri i mësuesit do të shpërndahen në shkollat shqipe në Mal të Zi në fillim të vitit të ri akademik

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Genci Nimanbegu priti në takim zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Agim Bërdyna, të cilët për të dytin vit me radhë dhuruan abetaret për nxënësit e klasës së dytë të shkollave shqipe në Mal të Zi.

Këtë vit, Kosova ka dhuruar 260 abetare për këta nxënës, ndërsa për dallim nga viti i kaluar, këtë vit MASHT ka dhuruar edhe 220 abetare pune si dhe 120 libra për mësuesit në të cilat shpalosen metodologjitë e mësimit.

Ky donacion vjen dhuratë e bashkëpunimit ndërinstitucional të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal te Zi dhe Ministrisë së Arsimit së Kosovës.

Bërdyna tha se bashkëpunimi vazhdon edhe këtë vit me qellim që nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe të mos hasin në pengesa në arsimimin dhe kulturën kombëtare, shkruan albinfo.ch.

Ndërkaq, Nimanbegu tha se kjo është dëshmi e bashkëpunimit ndërinstitucional të cilat në fushën e arsimit nuk mungojnë. “Kosova është gjithmonë pranë nxënësve shqiptarë të Malit të Zi. Ne kemi ngritur zërin dhe tekstet shkollore duhet të përmirësohen dhe të jenë të adekuate për nxënësit shqiptarë”, shtoi Nimanbegu.

Abetarja si dhe libri i mësuesit do të shpërndahen në shkollat shqipe në Mal të Zi në fillim të vitit të ri akademik.