Sport

Ajeti zgjodhi Zvicrën, Shqipëria nuk e ftoi

Albiani pasi ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës, tashmë është përshirë në listën paraprake prej 35 emrash që trajneri Vladimir Petkoviq ka grumbulluar për Botërorin “Rusi 2018”

Sulmuesi shqiptar, Albian Ajeti në një intervistë për “bsbazel.ch” ka folur për sezonin e tij të suksesshëm me Baselin, si dhe pse zgjodhi Zvicrën, përcjell albinfo.ch.

Ai shënoi 17 gola në 32 ndeshje, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Superligës.

“Shqipëria? Arlindi luan për Shqipërinë, qëllimisht lashë gjithçka të hapur. Nga Shqipëria nuk më kanë kontaktuar kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kanë pyetur vëllain tim, si po eci dhe çfarë kam ndërmend të bëj për sa i përket kombëtares. Megjithatë, kjo nuk vlen për mua, nuk është ndonjë sinjal i qartë”, është shprehur Albiani, vëllai i Arlind Ajetit, i cili luan në Kombëtaren kuqezi.

Albiani pasi ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës, tashmë është përshirë në listën paraprake prej 35 emrash që trajneri Vladimir Petkoviq ka grumbulluar për Botërorin “Rusi 2018”.

“Jam i kënaqur që jam në listën e Zvicrës, ka qenë gjithnjë synimi im që të luaj për Kombëtaren. Do ishte bukur nëse do isha qoftë edhe alternativë për një vend në Kupën e Botës”, shprehet sulmuesi shqiptar.

Duke patur parasysh sezonin e shkëlqyer që zhvilloi me Baselin, 21-vjeçari me origjinë shqiptare shpreson të jetë pjesë e 23 lojtarëve që do të përfaqësojnë Zvicrën në Rusi edhe pse konkurrenca në sulm është shumë e madhe me Ajetin që duhet të rivalizojë me emra të tillë si Eren Derdiyok, Haris Seferoviq, Josip Drmiq, Mario Gavranoviq, por edhe shqiptarin tjetër Admir Mehmedi.