Kultura

“Besa, një çështje nderi”, edhe në Dresden

Prezantohen dymbëdhjetë portrete dhe rrëfimet e po kaq shqiptarëve të besimit mysliman, që kanë shpëtuar hebrenjtë nga shfarosja

Pas stacioneve në Nju Jork, Vjenë, Vaduz (Lihtenshtajn) dhe Frankfurt, ekspozita e fotografive “Besa-Një kod nderi” do të ndalojë edhe në Dresden, respektivisht në landin e Saksonisë, në Gjermani. Ekspozita shëtitëse do të hapet të mërkurën (nesër) më 7 nëntor në kishën Dreikönigskirche të Dresdenit.

Me këtë rast do të prezantohen dymbëdhjetë portrete dhe rrëfimet e po kaq shqiptarëve të besimit mysliman, të cilët gjatë kohës së holokaustit kanë shpëtuar hebrenjtë nga shfarosja. Autor i fotografive është fotografi amerikan Norman Gershman.

Në Shqipëri, vend me shumicë myslimane, gjatë kohës së okupacionit nazist kanë shpëtuar të gjithë hebrenjtë që janë strehuar ose kanë jetuar më parë në këtë vend dhe kjo bën një fenomen unik në botë. Ndihma vetëmohuese që u është ofruar atyre lidhet me kodin e Besës, një parim etik ende i gjallë ndër shqiptarët.

Sipas këtij kodi moral është çështje nderi që të shpëtohen dhe të mbrohen njerëzit që janë në rrezik, sidomos kur të kanë ardhur si miq në shtëpi.

Pas Dresdenit, nikoqirë të ekspozitës do të jenë edhe qytetet si Leipzig, Zittau, Rothenburg dhe Görlitz.