CH-Ballkani

Cilat aeroporte në Ballkan kanë më shumë udhëtarë?

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ndërkohë lë pas atë të Prishtinës, me një rritje prej 12.7%, atë të Sarajevës me 10.2% dhe atë të Beogradit me 6.5%

Rritja e numrit të pasagjerëve që kanë udhëtuar në rrugë ajrore me 14.1% gjatë muajit nuk i ka mjaftuar Shqipërisë për të thyer rekorde në Ballkan.

Në fakt, shtimi i udhëtarëve në Rinas zbehet në raport me rritjen prej 25.6% të aeroportit të Podgoricës në Malin e Zi, apo përballë rritjes prej 16.9% të aeroportit “Aleksandri i Madh” i Shkupit, shkruan ‘Scan’.

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ndërkohë lë pas atë të Prishtinës, me një rritje prej 12.7%, atë të Sarajevës me 10.2% dhe atë të Beogradit me 6.5%, përcjell albinfo.ch.

Për qershorin kur ka një fluks më të lartë turistësh pritet që të dhënat të flasin për rritje mbi 15%, por nuk dihet nëse kjo do të mjaftojë për të mposhtur në “luftën ajrore” të Ballkanit treguesit e Shkupit. Ecuria gjatë pesë muajve të parë të vitit tregon se rritja e transportit ajror në Maqedoni po zbret, ndërsa ajo e Shqipërisë është në rritje konstante, sidomos prej ndikimit të sezonit veror.

Ndërkohë edhe për pjesën tjetër të verës pritet që lideri absolut në rajon të jetë aeroporti i Podgoricës, i cili është tashmë për pesë muajt e parë në rritje me 19.7%, krahasuar me 11.4% të aeroportit të Tiranës.

Për këtë vit, Mali i Zi renditet i katërti ndër shtetet me rritjen më të shpejtë të sektorit ajror ndërsa Shqipëria ndjek në vendin e 16-të.

Përfitime nga nisja e sezonit veror ka pasur edhe Greqia, e cila ka pritur 19% më shumë udhëtarë përmes rrugëve ajrore.

Sa i takon grupit të aeroporteve që presin mbi 25 milionë pasagjerë në vit, kryeson ai i Antalias, i cili gjatë majit priti 32.7% më shumë udhëtarë, në një kohë kur rritja mesatarja e aeroporteve të Evropës është prej 6.7%.