CH-Ballkani

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të dielën

Faza finale e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të dielën në Bruksel. Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, njofton se do t’i presë në një takim dy presidentët, atë të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Përfaqësuesja e lartë dhe presidentët do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e normalizimit gjithëpërfshirës të dialogut, të marrin në konsideratë marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme sikurse edhe do të diskutojnë hapat e ardhshëm, duke pasur parasysh periudhën intensive përpara”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Mogherinit, përcjell albinfo.ch.

Dialogu në nivel të lartë politik ndërmjet presidentëve për herë të fundit u zhvillua më 23 mars, në Bruksel. Para se të takohen të dy presidentët, të premten e të shtunën, do të duhej të mbahej një rund i bisedimeve teknike midis delegacioneve të të dyja vendeve.