Kosova

Dy të akuzuar për terrorizëm

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur dy aktakuza pranë dy gjykatave të ndryshme, atë Themelore të Mitrovicës dhe atë Themelore të Prishtinës, për dy persona të akuzuar për “bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj”.

Të akuzuarit janë shtetasit B. Q. nga Mitrovica dhe K. P. nga Lipjani, përcjell albinfo.ch.

I pandehuri nga Mitrovica ka bërë propagandë në lidhje me organizatën terroriste ISIS me anë të postimeve audiovizuale dhe fotografive në rrjetin social “Facebook”, duke i përkrahur veprimet terroriste të tyre nëpër botë, e duke bërë thirrje myslimanëve që t’i bashkohen “luftës së shenjtë për xhihad”.

Madje, qytetari nga Mitrovica ka shpërndarë edhe foto kërcënuese në “Facebook” në nëntor të vitit 2017. Edhe i pandehuri tjetër nga Lipjani, sipas aktakuzës në të njëjtat rrethana ka propaganduar në mbështetje të ISIS-it.

Që të dy ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj”, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.