Integrimi

Ekspozita mbi azilin kishtar merr emrin e shqiptares

Syarta është një grua e re me rrënjë kosovare, e cila si fëmijë kishte gjetur strehë në një kishë të Munihut dhe arushin prej pelushi (Tedddybär) të dhuruar atëbotë e ruan edhe sot

Tetë veta, refugjatë, në kohë të ndryshme kanë gjetur strehë dhe shpëtim në një kishë nga dëbimi që po i kërcënonte. Si duket jeta e tyre sot, në të gjitha fushat?

Tre artistë u janë qasur këtyre personave: një shkrimtare, një artist i fotografisë, i cili njëkohësisht është edhe aktor dhe një grua e re me rrënjë kosovare, e cila si fëmijë kishte gjetur strehë në një kishë të Munihut dhe arushin prej pelushi (Tedddybär) të dhuruar atëbotë e ruan edhe sot, shkruan merkur.de. Ata shtrojnë pyetje dhe pranojnë pyetje të shtruara, dëgjojnë rrëfime dhe rrëfejnë rrëfime. Ata/ato kërkojnë gjësende që kujtojnë kohën e strehimit në kishë: kujtime, fjalë, rekuizita, fotografi, shkresa, sekuenca filmi…

Bëhet fjalë për një projekt ekspozite të realizuar nga Andreas Tobias (Artist i fotografisë dhe ndriçimit, HoTo-Berlin Munih), Lena Gorelik (shkrimtare, Munih) dhe Syarta Kryeziu (dëshmitare).

Por si duket historia e Syarta Kryeziut?

Familja e saj kishte ikur nga Kosova kur Syarta ishte vetëm 5 vjeçe. Gjashtë muaj kjo familje i ka kaluar në azil kishtar dhe arushin lodër prej pelushi, të marrë dhuratë atë kohë, ajo e ruan edhe sot, transmeton albinfo.ch. Me emrin e Syartës është pagëzuar edhe ekspozita “Syartas Reise – Menschen im Kirchenasyl” (Udhëtimi i Syartës – njërit në azil kishtar”. Ekspozita mund të vizitohet deri në fund të prillit në kishën Nazarethkirche të Munihut.

Në solemnitetin e hapjes, Syarta rri e rrethuar nga familjarët e saj, krenare dhe ngapak e trazuar nga prania e mysafirëve. Ajo thotë se është mirënjohëse. Dhe për faktin se ajo mund të përjetojë këtë që po përjeton sot, ajo i është mirënjohëse priftit ungjillor, Martin Schuster, përcjell albinfo.ch Prifti tashmë i ndjerë i kishte mundësuar familjes së Syartës gjashtë muaj qëndrim në azil, pasi që ajo kishte ikur nga Kosova, e kërcënuar nga dhuna. Familja shqiptare pastaj ka fituar lejen e qëndrimit në Gjermani.

“Azili kishtar ka qenë shumë i rëndësishëm për mua”, thotë Kryeziu. “Jeta ime përndryshe, nuk do të ishte kjo që është”. Pastaj ajo i shpreh emocionet e saj ndryshe: “Gjermania në atë kohë nuk ishte vendi im. Sot është edhe vendi im”.