Kosova

Engel bën thirrje që të ratifikohet demarkacioni

Kongresmeni amerikan në Kosovë, Eliot Engel pas mbledhjes solemne të Qeverisë në një konferencë të përbashkët për shtyp tha se Kosova do ta ketë gjithmonë mbështetjen e SHBA-ve, ndërsa nuk e la anash as çështjen më të përfolur kohëve të fundit Demarkacionin me Malin e Zi, transmeton albinfo.ch.

“Është çështje shumë e rëndësishme dhe duhet zgjidhur. Nuk është çështje e vetme ka edhe çështje tjera. Jam kundër mbajtjes peng të Kosovës për këtë çështje por megjithatë duhet të zgjidhet”, ka thënë Engel.

Ndërsa kryeministri Haradinaj, deklaroi se është nder që miqësinë nga kohët e vështira populli i Kosovës me Amerikën, po e thellon tani.

“Ishte nder i madh që edhe dje në raundin e dytë të zgjedhjeve, ju kishim ju si dëshmitar, që ta konstatojmë së bashku, që Kosova vërtet është një demokraci premtuese. Kosova ka ende tema të hapura, por e ka përcaktimin euroatlantik. Në temat e mbetura të hapura, ne e kërkojmë ndihmën e Amerikës, por po ashtu ju premtojmë se do ta nderojmë këtë ndihmë me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, të rendit dhe të ligjit, për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, për një Kosovë që është e lirë për të gjithë qytetarët e vendit”, ka thënë Haradinaj.