Bota

“Evropa po abuzon me emigrantët”

“Mjekët pa Kufij” e ka akuzuar Bashkimin Evropian për bashkëfajësi në torturimin, vrasjen dhe përdhunimin e emigrantëve të mbajtur në kampet në Libi

Organizata humanitare “Mjekët pa Kufij” e ka akuzuar Bashkimin Evropian për bashkëfajësi në torturimin, vrasjen dhe përdhunimin e emigrantëve të mbajtur në kampet në Libi, të cilat kontrollohen nga milicitë e armatosura dhe trafikantët.

Kritikët thonë se Bashkimi Evropian po i mbështet këto grupime për të ulur fluksin e emigrantëve përmes Mesdheut.

Mijëra emigrantë të dëshpëruar për të mbërritur në Evropë, po mbahen në kampe në mbarë Libinë. Kushtet janë disi më të mira në kampet e menaxhuara nga organizata e OKB-së për emigracionin, IOM, raporton “Zëri i Amerikës”.

Emigrantët që kapen në det të hapur nga roja bregdetare libiane me mbështetjen e Bashkimit Evropian, dërgohen mbrapsht dhe mbahen të ndaluar në një sistem që “Mjekët pa Kufij” e përshkruajnë si një biznes pengmarrjeje, torturash dhe grabitjesh. Organizata akuzon Evropën si bashkëfajtore.

Komisioni Evropian e mohon keqtrajtimin e emigrantëve në Libi dhe Italia udhëheq operacionet e atjeshme. Bashkimi Evropian po vështirësohet të balancojë presionin publik për t’i dhënë fund krizës së emigrantëve, me vlerat e shumëlavdëruara të të drejtave të njeriut.