Autotech

Facebook edhe për muzikë

Facebook ka bërë hap të madh në zgjerimin e opsioneve të veta për video.

Këtë javë, rrjeti i madh social dhe “Universal Music Group” njoftuan një marrëveshje që besohet se është multi-milionëshe. Sipas marrëveshjes, përdoruesit e Facebookut mund të publikojnë në këtë rrjet social muzikë të licencuar nga “Universal Music”.

Marrëveshja mund të sjellë benefite në periudhë të shkurtër dhe të gjatë për Facebookun. Kjo do të bëjë më të lehtë për njerëzit që të ngarkojnë videot që përmbajnë të drejtat e autorit për muzikë, por mund të zgjerojë edhe vet faqen e Facebookut pasi mund të bëhet destinacioni i radhës për adhuruesit e muzikës.

E drejta e autorit ka sjell problem të vazhdueshëm në rrjete sociale për disa vjet. Kur përdoruesit publikonin pamje me muzikë të caktuar, pronarët e këngës kërkonin nga kompania të fshinte nga uebfaqja videon me muzikën e tyre, transmeton Albinfo.ch.

Tani falë marrëveshjes së re, Facebooku do të mbrohet nga këto kërkesa – duke mundësuar qëndrimin e videove me muzikë nga artistët e “Universal”.

Sipas “The Verge”, listës së marrëveshjes mund t’i shtohen edhe “Warner Music Group” e “Sony Music”.