Kosova

Gjykata lëshon urdhërarrest për tre deputetët e LVV-së, Kurtin, Kadajn dhe Haxhiun

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu sërish nuk janë paraqitur në Gjykatë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Ka dështuar sërish seanca gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës, ndaj katër deputetëve të VV’së, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu. Kjo pasi Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk u paraqiten në gjykatë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu sërish nuk janë paraqitur në Gjykatë Themelore të Prishtinës, të mërkurën, për gjykim për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Trupi gjykues urdhëroi arrestimin e tre të akuzuarve pasi të njëjtit janë kërkuar para seance në shtëpitë e tyre nga Policia, por nuk janë gjetur.

Dy deputetët e VV-së Kurti e Kadaj-Bujup janë kërkuar në shtëpitë e tyre, pasi trupi gjykues qysh në seancën e kaluar ka urdhëruar sjelljen tyre me Polici në gjykatë, pasi as atëherë nuk ishin paraqitur. Por, të njëjtit, siç shkruan express,  nuk janë gjetur në adresat e tyre të banimit.

Kështu ka bërë të ditur gjyqtari Beqir Kalludra, derisa anuloi seancën e të mërkurës deri në një afat të pacaktuar.

Kalludra urdhëroi edhe arrestimin e deputetëve të akuzuar Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi, dhe gjithashtu të Albulena Haxhiut. Madje u caktoi ndaj tyre edhe paraburgim.

“Të akuzuarit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar” , ka thënë gjyqtari në fillim të seancës.

Në seancën në të cilën erdhi vetëm Faton Topalli si i akuzuar, nuk u paraqitën as dy deputetët e PDK-së Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, të thirrura si palë të dëmtuara në këtë rast. Njëjtë ka vepruar edhe deputeti tjetër i PDK-së Bekim Haxhiu, i thirrur si dëshmitar.

“Në mungesë të palëve shqyrtimi i sotëm nuk mund të vazhdojë. Seanca shtyhet në afat të pacaktuar”, tha gjyqtari.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj katër deputetëve Lëvizjes Vetëvendosjes. Ata akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.