Sport

Gratë iraniane diskriminohen edhe në futboll

Ato nuk janë lejuar të shohin ndeshjen e meshkujve ndërmjet Iranit dhe Sirisë, më 5 shtator, kurse gratë me shtetësi të huaj kanë pasur drejt të shohin këtë takim shumë të rëndësishëm

Gratë iraniane janë të diskriminuara edhe në sport, përkatësisht në futboll. Ato nuk janë lejuar të shohin ndeshjen e meshkujve ndërmjet Iranit dhe Sirisë, më 5 shtator, kurse gratë me shtetësi të huaj kanë pasur drejt të shohin këtë takim shumë të rëndësishëm.

 

Madje, ka pasur edhe disa gra që kanë nxjerrë biletat, por nuk janë lejuar të hynë në stadiumin Azadi të Teheranit, por kanë shikuar me zili sirianet që kanë përcjellë ekipin e tyre, raporton Evropa e Lirë.

Për këtë çështje ka pasur reagime të ndryshme në rrjet sociale. Gratë kanë shprehur zemërim për ndalesën afatgjate, me arsyetimin se stadiumet nuk janë vende të sigurta për to. “Nuk na kanë lejuar të futemi në stadium. Na kanë fotografuar dhe na kanë kërcënuar se do të na arrestojnë. Na i kanë marrë edhe biletat”, ka shkruar në “Twitter” një tifoze iraniane e futbollit me emrin, Banafshe Jamali, përcjell albinfo.ch.

Mungesa e grave iraniane dhe prania e atyre siriane në stadium është vënë re edhe nga një moderator i televizionit shtetëror.

Sipas disa raporteve, disa gra iraniane kanë arritur të hyjnë në stadium duke mbajtur flamuj të Sirisë dhe duke pretenduar se janë të huaja. E përditshmja iraniane “Sharq” ka thënë se ato më vonë janë arrestuar.

Në anën tjetër, e përditshmja Vaghaye Etefaghiyeh ka shkruar në ballinë se gratë siriane, të cilat kanë hyrë në stadium, janë fituese të vërteta të ndeshjes. “Gratë siriane e kanë fituar lojën”, ka shkruar gazeta.

Sipas aktivisteve iraniane gratë janë të diskriminuara edhe në shoqërinë iraniane.