Shqipëria

Instat: Emigrimi zvogëlon numrin e banorëve të Shqipërisë

Gjatë vitit 2017, rezulton se 39.900 shqiptarë kanë emigruar, ndërsa mbi 25 mijë janë regjistruar si imigrantë

Popullsia e Shqipërisë është zvogëluar për 14 mijë e 900 banorë në vitin 2017, thotë raporti i fundit i Instatit. Sipas të dhënave të fundit, më 1 janar të 2018-ës, Shqipëria numëronte 2 milionë e 870 mijë e 324 banorë.

Sipas këtyre të dhënave, shkaku i tkurrjes është emigracioni, shumë më i lartë në shifra se 14.900, sepse ia ka dalë që të eliminojë edhe efektet e rritjes natyrale nga lindjet e reja. Uljet e numrit të popullsisë shihen më së shumti në zonat Gjirokastër, Dibër, Berat, Kukës, Korçë, Elbasan, Lezhë, Fier dhe Shkodër. Vetëm Vlora, Durrësi dhe Tirana kanë pasur rritje të popullsisë gjatë vitit 2017.

Gjatë vitit 2017, rezulton se 39.900 shqiptarë kanë emigruar, ndërsa mbi 25 mijë janë regjistruar si imigrantë. Sipas INSTAT-it, problem mbetet ulja e numrit të lindjeve 2,7 përqind me pak se një vit më parë.