Lajme

Katolikë e myslimanë festojnë bashkë Krishtlindjet

Mesha e krishtlindjes në Kosovë u mbajt në katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë, ndërsa në Shqipëri në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë. Kleri katolik bëri thirrje për unitet dhe harmoni

Besimtarët e fesë katolike në Kosovë e Shqipëri po festojnë Krishtlindjet me mesazhet tradicionale për paqe, solidaritet e harmoni ndërmjet njerëzve. Mesha e krishtlindjes në Kosovë u mbajt në katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë, udhëhequr nga ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili bëri thirrje për bashkim, dialog dhe rezistencë kundër së keqes.

Në meshën kryesore morën pjesë besimtarë katolikë e myslimanë, ndër ta edhe personalitete të njohura nga jeta politike, kulturore e institucionale.

Në fjalën e tij Imzot Dodë Gjergji, tha se gjatë katër javëve të fundit besimtarët katolikë janë përgatitur që të marrin pjesë në këtë kremtim të madh, në mënyrë që denjësisht ta japin lajmin vullnetmirë, se Zoti ka vizituar popullin e tij. Gjergji, në mesazhin e tij gjatë meshës së Krishtlindjeve tha se të gjithë duhet ta ndjekim rrugën e Nënë Terezës.

Sipas tij, vet shenjtërimi i Nënë Terezës, është dhurata më e mirë që mund ta marr çdo shqiptar për Krishtlindje.

Ipeshkvi i Kosovës dha një mesazh edhe për politikanët kosovarë. Ai kërkoi nga  udhëheqësit politikë që të mos e keqpërdorin lirinë. Ai tha se për gjendjen e krijuar në vend edhe Ipeshkvia e Kosovës ndihet bashkëfajtore, siç tha ai, në nivelin e përgjegjësisë qytetare.

“Kosova është vendi dhe shteti ynë i përbashkët. Nuk mund të ndjehemi mirë duke e parë se si keqpërdoret liria… Shohim se si përgjegjësit e partive politike për të marrë pushtetin shkelin kodin e marrëdhënies në përgjithësi. Kjo mënyrë i ka tejkaluar forcat e demokracisë. Madje ka edhe të tillë që fshihen para ligjit për të mbuluar dështimet e veta”, tha ai.

Ndërkaq me rastin e festës së Krishtlindjes, pjesëtarë të jetës politike në Kosovë dhe fytyra publike kanë uruar Ipshekvinë, shumë prej të cilëve po marrin pjesë në Katedralen e Prishtinës për një koktej të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës. I pranishëm në këtë koktej është edhe Kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

“Dëshiroj të them se kemi kaluar një vit të mundimshëm. Shpresoj që vitin të cilin vijmë ta kalojmë më shumë në paqe, dashuri, të kemi aftësi dialogu dhe të kemi guxim për ta shikuar në sy njëri tjetrin, pa inat, pa gjërat të cilat na ndajnë dhe na përçajnë, por me zemër, që mund ta përqafojmë dhe të pajtohemi me njëri tjetrin”, tha Gjergji.

Ai nuk la pa përmendur dhuratën e Krishtlindjeve që kanë marrë besimtarët katolikë shqiptarë nga Papa. Sipas tij, që nga viti i ardhshëm me Nënën Terezë shenjtore edhe qielli do të flas shqip.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i uroi të gjithë vëllezërit e tij të besimit katolik për këtë festë duke thënë se shpreson që në vitin e ardhshëm të ketë sa më shumë paqe dhe harmoni.

“Në emër të kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin këtu në katedrale që t’iu uroj gjithë vëllezërit e mi festën e Krishtlindjeve, duke e lutur Zotin, krijuesin e vetëm, që në mesin e kombit tonë të kemi paqe harmoni, mirëqenie, vëllazërim të përhershëm dhe bashkërisht të punojmë për një të ardhme sa më të mirë të kombit tonë’, tha ai.

Edhe Bashkësia Islame e Kosovës, sikurse edhe Ipeshkvia e Kosovës, sipas Terrnavës,  do të jenë dy hallka të forta të zinxhirit për të ndihmuar proceset e përgjithshme “për një mirëqenie më të mirë të vendit tonë, të proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova”.

Ndërkaq, në Shqipëri, mijëra besimtarë të krishterë u mblodhën në mesnatë në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, për të kremtuar momentin e rëndësishëm të kalendarit kristian. Kjo është Krishtlindja e parë që Meshën e shenjtë nuk po e drejton i ndjeri Imzor Rrok Mirdita, i cili ndërroi jetë pak javë më parë.

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u drejtua nga Imzot George Frendo, i cili uroi më shumë paqe, mirësi dhe dashuri me njëri-tjetrin. Në mesazhin e tij ai kujtoi edhe Meshën e parë të Krishtlindjes postkomuniste.

“Para disa ditësh në Shkodër u kremtua përvjetori i 25-t i Meshës së parë pas regjimit komunist. Vërtet në atë kohë komunizmi nuk kishte vdekur, por ishte në agoni dhe sonte në këtë orë të çuditshme një numër shumë i madh besimtarësh bashkohet këtu në këtë tempull përball monumentit të ndërtuar nga profetët e vrasjes së zotit. Ata që deshën ta vrisnin zotin. Kemi ardhur këtu për ta kremtuar lindjen e Krishtit, një ngjarje historike. Këtu, në secilin prej nesh. Jezusi do të lindë në zemrat tona”, tha Imzot George Frendo.